Një vatër e re zjarri është aktivizuar në zonën e Krastës në Krujë, duke rikthyer situatën e vështirë të krijuar nga zjarret në këtë zonë.
Flakët janë shfaqur në pjesën veriore të Krastës dhe po favorizohen nga erërat e forta, të cilat po ndikojnë në përhapjen e tyre.
Situata paraqitet shqetësuese për shkak të afërsisë së zjarrit me depo ku ruhen lëndë plasëse që përdoren për furnizimin e guroreve. Për të shmangur afrimin e flakëve, forcat zjarrfikëse kanë krijuar një perimetër sigurie rreth depove.
Në operacion është angazhuar edhe një helikopter i Forcave të Armatosura, i cili është rikthyer në zonë për të ndihmuar në izolimin dhe shuarjen e vatrës së zjarrit.
Ndërkohë, situatë problematike raportohet edhe në lagjen “Abazaj”, ku banorët kanë kërkuar ndërhyrjen e shërbimeve për përballimin e flakëve. Sipas banorëve, ndihma nuk ka mbërritur në kohën e pritshme.
Forcat zjarrfikëse vijojnë punën në terren për izolimin e vatrave dhe mbajtjen e zjarrit larg zonave të rrezikuara.
Paraprakisht, dyshohet se zjarri mund të jetë i qëllimshëm, por ky dyshim mbetet për t’u verifikuar nga autoritetet përkatëse.
Era e fortë vijon të jetë një nga faktorët kryesorë që vështirëson ndërhyrjen e forcave në terren dhe favorizon përhapjen e flakëve.
