Ardian Dvorani, njeriu që Ilir Meta ka luftuar prej një viti, që kur ishte kryetari i Këshillit të Emrimeve në Drejtësi, por që më pas arriti ta largojë nga Gjykata e Lartë, ka kërkuar që t’i bashkëngjitet KED deri në fund të vitit, kur dhe i mbaron afati ligjërisht.


Dvorani, i larguar pak muaj më parë si anëtar i Gjykatës së Lartë pas mbarimit të mandatit,është emëruar si anëtar i Gjykatës së Apelit Administrativ të Tiranës.


Por sot, ai i ka dërguar një letër kreut të KED, Vitore Tusha, duke i kërkuar rikthimin në këtë institucion.


Dvorani pretendfon se lëvizja e tij nga anëtar i Gjykatës së Lartë në anëtar i Gjykatës e Apelit Administrativ të Tiranës, nuk përbën pengesë për ushtrimin e detyrës së anëtarit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi duke shtuar se kjo trupë është kolegjiale.


Ai e argumenton këtë fakt me qënien në shkallën e Apelit, që e bën të mundur sipas sipas gjyqtarit Dvorani, që mandati i anëtarit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi nuk mund të ndërpritet, por duhet të vijojë deri në fund të vitit 2020.


 “Nisur nga kuptimi dhe interpretimi i sipërtrajtuar të dispozitave kushtetuese dhe ligjore të zbatueshme, kam vlerësimin se rrethana e krijuar e mosushtrimit të mëtejshëm të funksionit të gjyqtarit të Gjykatës së Lartë dhe vijimi prej datës 30.07.2020 në funksionin e gjyqtarit të Gjykatës Administrative të Apelit, nuk e ndërpret të drejtën dhe detyrimin tim kushtetues dhe ligjor për të qenë në përbërje të KED, të caktuar për të ushtruar veprimtarinë gjatë vitit kalendarik 2020”, thuhet në letrën që Dvorani i drejton kreut aktual të KED, Vitore Tusha.


Letra e ish-kreut të KED-së e detyron Tushën që të paktën të mbledhë Këshillin i cili duhet të vendosë në mënyrë kolegjiale për mandatin e Dvoranit.


Nëse Tusha e injoron apo do të shqyrtojë indivisdualisht këtë kërkesdë, ka gjasa që mazhoranca të nisë sulmet ndaj saj, siç ka bërë Meta për Dvoranin. Kështu pas një paqeje, apo armëpushimi, duket se përplasja ka vijuar me një parashikim edhe më të ashpër. Duket se gjithçka ka një arsye; rinovimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.