Arjan Alico akuzohet për plagosjen e djeshme në Lushnjë për ndeshjen e Europianit
Një 53-vjeçar me të kaluar të “bollshme” në botën e krimit dhe më saktësisht njëri prej ish-ushtarëve të Aldo Bares, u arrestua dje në Lushnjë, sepse qëlloi 10 herë me thikë një 36-vjeçar, pas një sherri në lokalin e basteve, duke parë Europianin. Arjan Alico, 53 vjeç, i dënuar më parë për vrasje, u arrestua sërish me akuzën e tentativës së vrasjes dhe plagosjes së rëndë me dashje kryer në bashkëpunim. Ai është i akuzuar për një krim të ndodhur pasditen e së shtunës në qytetin e Lushnjës, ku pas ndeshjes Shqipëri-Zvicër, në një pikë bastesh ka qëlluar mbi 10 herë me thikë Julian Sulën, 36 vjeç. Në kërkim për këtë ngjarje është shpallur dhe bashkëpunëtori i Alicos, shtetasi me inicialet XH.A, 24 vjeç. Dyshohet se shkak i konfliktit të ketë qenë një motiv banal në lidhje me ndeshjen që ata ishin duke parë në një pikë bastesh në qytetin e Lushnjës. Sula aktualisht është nën kujdesin e mjekëve në gjendje të rëndë, ndërsa Alico pritet që këtë të hënë të dalë para gjykatës për t’u njohur me akuzën që rëndon ndaj tij. Paraprakisht mësohet se Alico është shprehur se gjithçka ndodhi pas një përplasjeje të fortë dhe se ishte i detyruar të nxirrte thikën për vetëmbrojtje, pasi në të kundërt, Sula do ta qëllonte atë. Për të zbardhur rrethanat e ngjarjes janë marrë në pyetje me dhjetëra persona të pranishëm në vendin e ngjarjes, duke përfshirë edhe pronarin e lokalit të basteve, por të dhënat ndihmuese janë të vakëta. Alico është një prej emrave që me vite qëndronte në dosjen e policëve, prokurorëve dhe gjykatësve që u morën me “Bandën e Lushnjës”. Ngjarja që spikat është ekspozimi i tij në grup, duke shëtitur me një kokë të prerë. Siç shkruhet në dosjen hetimore, më 21 tetor të vitit 1998, në fshatin Grabian të qytetit të Lushnjës, pasi është dëgjuar një plasje eksplozivi, janë gjetur në vendngjarje pjesë të një trupi njerëzor të shpërndara. “Ditën e vrasjes së Artur Dajës, në sheshin e qytetit të Lushnjës, pjesëtarë të grupit kriminal, të drejtuar nga Aldo Bare, kanë shëtitur nëpër shesh kokën e prerë të kufomës, Artur Daja. Ndërmjet tyre, në ngjarjen kriminale të ekspozimit të kokës së prerë kanë qenë edhe të pandehurit Ilir Stergu, Arben Borici, Erion Cici, Arjan Alico, Enver Borici, Enver Dondollaku, shtetasi i vrarë Leonard Prifti etj. Të gjithë viktimat kanë qenë shokë, miq të shtetasit Artur Daja, i cili ishte kundërshtari i drejtuesit të organizatës kriminale të drejtuar nga Aldo Bare”-thuhet gjithashtu në dosje. Viktimat nuk kanë pasur konflikte personale me të pandehurit. Në epokën e Alfred Shkurtit (Aldo Bares), ku Lushnja kishte një komisariat paralele, anëtarët e organizatës i drejtoheshin shefit me nofka të tilla si: “I madhi”; “Profesori”; “Kryetari” etj., ku edhe protagonisti i ridalë në skenë orët e fundit, Arjan Alico, ka pasur një rol jo të vogël. Për të prokuroria nuk kërkoi më shumë se 6 vjet burg për pjesëmarrje në vrasje.