Uragani në shifra



  • Më shumë se 40 vetë vdiqën

  • 8 milionë njerëz mbetën pa energji elektrike

  • 223 kilometra në orë ishte shpejtësia më e madhe e erës e regjistruar në Malin Uashington, Nju Hempshair

  • 32 centimetra shi u shënuan maksimalisht në Iston, Meriland

  • 4.34 metra ishte maja e dallgës më të lartë në Manhatanin e poshtëm

  • Rreth 7 mijë pemë u rrëzuan në Nju Jork

  • 29 spitale mbetën pa energji elektrike në Nju Xhersei


Bizneset dhe autobusët filluan të punojnë, por dëmet vlerësohen të jashtëzakonshme


Bizneset dhe shërbimet në pjesën Verilindore të SHBA-së rifilluan të hapen dje pas dy ditësh pushimi të detyruar nga stuhia Sandy. Një prej aeroporteve të Nju Jorkut u rihap për fluturime së bashku me disa zyra federale dhe shkolla. Por shumë shtëpi janë ende pa energji elektrike, ndërsa sistemi i trenave nëntokësorë qëndron i mbyllur në tërësi.


Presidenti Barack Obama, i cili pezulloi fushatën e tij elektorale, shkoi të takojë njerëzit e prekur në Nju Xhersi. Kostoja e eliminimit të pasojave të stuhisë së stërmadhe që la së paku 40 të vdekur pas, vlerësohet tashmë në 30-40 miliardë dollarë.


Guvernatori i shtetit të Nju Jorkut, Andrew Cuomo, tha: “Ne nuk kemi parë dëme të tilla në një gjeneratë”.


Ndërkohë, kandidati republikan Mitt Romney po bën fushatë në Florida, ndërsa ndiqet nga zëvendëspresidenti Joe Biden. Kandidati republikan për zëvendës president u shfaq në fushatë në shtetin e tij Uiskonsin.


Disa nga banorët e prekur nga stuhia kanë humbur shtëpitë ndërsa në shumë shtete, dhjetëra mijëra amerikanë kaluan natën e dytë në strehime të përkohshme nëpër shkolla, qendra komunitare apo hotele, shpesh pa energji elektrike.


Një pjesë e të shpërngulurve ndërkohë kanë filluar të kthehen në shtëpitë që patën braktisur me urdhër të autoriteteve.


“Të thyhet zemra pasi ke jetuar këtu për 37 vjet. Sheh shtëpinë tënde të rrënuar. Është shumë e vështirë”, tha Barry Prezioso, një banor i një lagjeje me pamje nga deti në Nju Xhersi. “Askush nuk u dëmtua fizikisht dhe kati i dytë është ende i jetueshëm, pra ne mund të jetojmë lart, deri sa të pastrojmë katin përdhes. Jam i sigurt se të tjerët janë dëmtuar më rëndë, ndjehem me fat”, shtoi ai.


Stuhia po vijon të shkaktojë probleme të rënda gjatë rrugës së saj brenda kontinentit amerikan, ku i është drejtuar Kanadasë. Sandy vijon të hedhë sasi të stërmëdha shiu dhe bore.


Kryebashkiaku i Nju Jorkut, Michael Bloomberg, i ra ziles së hapjes Bursës së Nju Jorkut të mërkurën, e cila u hap njëkohësisht me Nasdaq. Bursat qëndruan mbyllur për dy ditë. Kjo ishte mbyllja më e gjatë e shënuar për shkak të motit në më shumë se 100 vjet. Tunelet nëntokësore janë përmbytur dhe vijojnë të qëndrojnë nën ujë së bashku me pajisjet elektrike, të cilat do të duhen të pastrohen para se rrjeti i qarkullimit nëntokësor të rihapet. Zyrtarët thonë se nuk janë në gjendje të japin një afat se kur jeta do të kthehet në normalitet në metropolin më të madh të botës. Trenat mbitokësorë po fillojnë ngadalë të funksionojnë sërish së bashku me shumicën e urave të Nju Jorkut.


Sandy përplasi mbi Manhatan edhe një dallgë detare 4.2 metra të lartë, shumë më e lartë se sa dallga rekord e së shkuarës që u shkaktua nga uragani Donna, më 1960-n.


Para se të përplasej në Nju Xhersei, stuhia Sandy vrau së paku 70 vetë në Karaibe. Ishulli i varfër i Haitit po përballet me mungesa ushqimore, pasi 70 për qind e të mbjellave u shkatërruan nga moti i keq.