Zjarri i rënë në lagjen Abazë të Krujës është riaktivizuar mbrëmjen e sotme, duke rikthyer situatën e vështirë të krijuar nga flakët në këtë zonë.
Sipas banorëve, deri në këto momente forcat e emergjencës nuk kanë mbërritur ende pranë vatrës së riaktivizuar. Era ka favorizuar përhapjen e flakëve, ndërsa nga informacionet paraprake nuk raportohet rrezik i drejtpërdrejtë për banesat.
Një tjetër vatër problematike është shënuar në zonën Krastë–Halil, ku situata u rëndua gjatë orëve të para të mëngjesit dhe flakët iu afruan zonave të banuara. Ndërhyrja nga ajri me dy helikopterë ka ndihmuar në stabilizimin e situatës, ndërsa forcat operacionale vijojnë punën për izolimin dhe shuarjen e plotë të zjarrit.
Në rang vendi, gjatë pasdites janë raportuar 8 vatra aktive në qarqet Tiranë, Fier, Durrës, Gjirokastër dhe Dibër.
Për përballimin e situatës janë angazhuar 165 forca operacionale dhe 85 efektivë të Forcave të Armatosura. Në operacionet ajrore janë kryer gjithsej 7 misione me helikopterë dhe 2 misione me avionë “Air Tractor”.
