Murtaja e rumitantëve është rikthyer në qarkun Shkodër pas afro një viti, duke prekur bagëtinë njësinë Dajç. Ministria e Bujqësisë ka nxjerrë një urdhër për vendosjen në karantinë të kësaj zone në një rreze prej 3-10 kilometër.

Rasti i parë i muartajës për këtë vit është konstatuar në fshatin Mali i Gjymtit të Dajçit. Rreth 20 krerë dele janë groposur, ndërsa tashmë pritet asgjësimi edhe i afro 60 krerëve të tjera dele të një ferme bagëtish. Rasti ka 3 ditë që është konfirmuar zyrtarisht.

Ndërkohë administratori i Dajçit, Broz Pjetrani thotë se ka dyshime që në atë njësi mund të ketë edhe raste të tjera të murtajës tek bagëtitë e imta dhe do kryhen inspektimet dhe analizat përkatëse. Përveç Dajçit, drejtoria rajonale e ekstensionit bujqësor në Shkodër ka nisur kontrolle edhe në zona të tjera, si shkak i rrezikut të përhapjes së murtajës.

Murtaja e rumitantëve  është një sëmundje që prek kafshët por që nuk transmetohet tek njeriu. Vitin e kaluar në Shkodër u konstatuan 3 raste të tilla duke bërë asgjësimin e të imtave ndërsa zonat e prekura u vendosën në karantinë brenda afateve ligjore të përcaktuara.