
Bengt Wedelmalm është një pastor nga Suedia, i cili me punën e tij ka vizituar 60 kombe. Ai ka mbajtur mitingje publike me një audiencë mbi 100 mijë persona. Ka takuar njerëz të thjeshtë, por dhe presidentet dhe udhëheqësit fetare te këtyre kombeve.
Pastori ka vizituar Shqipërinë në vitin 1990 kur Shqipëria ende ishte e mbyllur për fjalën e lirë dhe lirinë e besimit.
Ditën e sotme ai ishte në studionin e emisionit “Shqipëria Live” në Top Channel, ku zbuloi se si ka hyrë në Shqipëri në kohën kur feja ishte e ndaluar.
“Bëra sikur isha komunist që të vija në Shqipëri. U bashkova me disa njerëz që do vinin në Shqipëri, për të studiuar shembullin komunist. Kështu erdha unë në Shqipëri”, tha Bengt.
I pyetur se ka dalë kundër fjalës në Bibël që thuhet se nuk duhet të gënjejmë, pastori tha se nuk e ka bërë një gjë të tillë. “Unë thjesht pretendova, isha në rol. E në një situatë të tillë të vështirë nuk kisha zgjidhje tjetër. Gjëja kryesore ishte që ta vizitoja këtë komb dhe të kisha mundësi që të ndaja me njerëzit dashurinë e Perëndisë”, tha ai.
Por Bengt shtoi se kjo gënjeshtër zgjati vetëm 10 minuta. “Kur arrita në kufirin shqiptar erdhën dy shoqërues, një burrë dhe grua. Ata filluan që të na tregonin se sa fantastike ishte Shqipëria. E në fakt atë që pamë nga dritarja nuk ishte aspak ashtu.
“Pamë që njerëzit kishin të njëjtat veshje, ishin të varfër. Burri që na shoqëronte na tha kjo është e bukur. Në 1967 besimi u ndalua në Shqipëri dh unë nuk mund të rrija më në heshtje, e kështu maska komuniste ra. Unë ju thashë jeni të mashtruar, shikoni përjashta se nuk ka asgjë për të qenë krenar. Ju thoni se besimi ju bën të trishtuar, por unë nisa që të flisja për Zotin.Filluan të nervozihoheshin, e në kohën e pushimit gruaja erdhi tek unë e më tha: ‘Çfarë na thatë më parë, unë e mikeshat e mia duam që t’ju dëgjojmë. Por që duhet të ishim të kujdesshëm, pasi burri do të na spiunonte te shtet”, rrëfeu ai.
I pyetur nëse pati frikë, Bengt tha: “Nuk kisha frikë, pasi kisha udhëtuar në shumë kombe të ndryshme. Kam qenë edhe në burg, pasi unë flas për atë çfarë besoj”.
“Por kur erdha në Tiranë po ecja dhe mendoja se duhej të gjeja dikë që të fliste anglisht. E në hotelin e Tiranës pyeta recepsionisten a ke dëgjuar për Jezusin. Më pa dhe më tha si quhesh? Rezusi i thashë unë, e ajo nisi duke parë në regjistër dhe më thotë: më fal por Jezusi nuk jeton në këtë hotel. Aty e kuptova se nuk ka njohuri për Krishtin në këtë komb”, vijoi ai.
Ndërsa kur moderatorët e pyetën se si e shikon Shqipërinë pas 30 vitesh, pastori tha: “E gjej Shqipërinë shumë më të hapur dhe jam i lumtur që kam miq në Shqipëri. Por ende kam të njëjtën zemër për këtë komb. Edhe pse ka situatë më të mirë ekonomike, ndihet korrupsioni”.