Fatos Mahmutaj gazetari i cili u plagos në protestën e 21 Janarit të 2011, ku mbetën të vrarë edhe 4 protestues, ka rrëfyer se si ndryshoi jeta e tij pas plagosjes.
Teksa bëri një “thirrje” kundrejt organeve shtetërore të Gardës së Republikës, së policisë shqiptare, ai u shpreh në emisionin “Jetë Shqiptare” për momentin e plumbave të derdhur mbi protestusit, që pasoi më vonë me denoncimin ndaj ekzekutorëve. Duke treguar kështu se çfarë ndodhi me jetën e tij.
Kujtojmë që Fatos Mahmutaj pas plagosjes që pati, kërkoi azil politik në Belgjikë.
“21 janari është një nga skutat e errëta të shtetit shqiptar. Është një nga ato ngjarje që vit pas viti po bën padrejtësi. Padrejtësia ka arritur në maksimum për këtë çështje dhe dita më e keqe për 4 viktima. Dita më e keqe edhe për 45 të plagosurit.
Nuk doja të ndalesha te pjesa personale imja, kujtoj plumbat e organeve shtetërore, të Gardës së Republikës, së policisë shqiptare, mbi vetë shqiptarët. Disa shqiptarë që qëllonin drejt disa shqiptarëve të tjerë për diçka që e gatoi politika e kohës.
Ishte një vendim i detyruar. Nuk kishte zgjidhje tjetër. Mu desh që të ndryshoja totalisht jo vetëm jetën, por edhe mënyrën e sjelljes, nga një qytetar i mirë mu desh të largohesha fshehurazi nga vendi im”, ka treguar Mahmutaj, ndërsa shprehet se prej 13 vitesh, ngjarja e 21 Janarit vijon të mbetet e pazbardhur. Ai thekson se njollat e turpit të drejtësisë shqiptare, vijojnë të shtohen.
“Jeta të cilën kisha krijuar, ta ndryshoja totalisht, të rikthehesha edhe njëherë për ta ndërtuar edhe njëherë tjetër, për shkak të asaj që më ndodhën dhe akuzat që ngrita mbi personat që ngrita mbi ekzekutorët e 21 janar, mbi personat që qëlluan drejtpërdrejtë mbi protestuesit.
Pati pasoja, më kanë filluar që te mosmjekimi deri te “persekutimi”, kërcënime, etj. Ky 21 janar mi solli punët shumë mbrapsht dhe mu desh të ndërtoja gjithçka në Belgjikë.
Ky 21 Janar që ka 13 vite i pazbardhur duke u hedhur topi sa në një portë, te një portë tjetër e drejtësisë, iu shtua një njollë e zezë drejtësisë shqiptare”, tha Mahmutaj, ndërsa u shpreh shumë skeptik mbi zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje.
Për më tepër ai u shpreh se nëse kjo dosje kalon në SPAK, është gati të japë deklarimet e tij mbi 21 Janarin e 2011-ës.
