Pas disa muajsh ngërç, mazhoranca dhe opozita rikthehen sot në tryezën e diskutimeve për Reformën Zgjedhore. Komisioni i Posaçëm Parlamentar pritet të mblidhet në orën 13:00, ndërsa mes dy forcave kryesore politike vijojnë mosmarrëveshjet për çështjet kryesore të reformës.

Në fokus të mbledhjes do të jetë përshtatja e Kodit Zgjedhor me ndarjen e re administrativo-territoriale, e cila parashikon reduktimin e numrit të bashkive në 46. Gjithashtu, pritet të vijojë shqyrtimi i projektligjit që rregullon financimin e partive politike.

Partia Demokratike kërkon aplikimin e listave plotësisht të hapura, si në zgjedhjet parlamentare, ashtu edhe në ato për këshillat bashkiakë. Nga ana tjetër, Partia Socialiste nuk ka paraqitur ende një propozim konkret për ndryshimin e sistemit zgjedhor.

Megjithatë, përfaqësuesit e mazhorancës kanë paralajmëruar se, në mungesë të një marrëveshjeje me opozitën, janë të gatshëm të vijojnë të vetëm procesin e reformës.

Një tjetër pikë përplasjesh mbetet harta e re territoriale. Demokratët kanë votuar kundër saj dhe kanë paralajmëruar se do ta ankimojnë në Gjykatën Kushtetuese.

Socialistët, ndërkohë, synojnë harmonizimin e legjislacionit zgjedhor me organizimin e ri të pushtetit vendor, përfshirë rregullat për hartimin e listave të kandidatëve për këshillat bashkiakë dhe përfaqësimin e njësive të reja administrative.

Sa i përket sistemit zgjedhor, PS ka shprehur gatishmëri për diskutime, por ka lidhur mundësinë e ndryshimeve kushtetuese edhe me propozimin për reduktimin e numrit të deputetëve në Kuvend, nga 140 në 101.

Ndërkohë, koha në dispozicion të komisionit po mbaron. Mandati i tij përfundon në fund të këtij muaji dhe mazhoranca ka bërë të qartë se nuk parashikon një tjetër shtyrje.

Në këto kushte, mbledhja e sotme pritet të tregojë nëse PS dhe PD do të arrijnë të afrojnë qëndrimet për çështjet kryesore, apo nëse Reforma Zgjedhore do të vijojë të mbetet objekt përplasjesh politike.