Pranvera ka rikthyer rrezikun e zjarreve në disa zona të vendit, ku djegia e sipërfaqeve bujqësore për hapjen e parcelave të reja ka shkaktuar disa vatra në qarkun e Elbasan.

Situata më problematike është regjistruar në malin e Koshnicës, në zonën e Skënderbegas, pjesë e Gramsh, ku flakët kanë rrezikuar sipërfaqe të konsiderueshme.

Pas ndërhyrjes së forcave zjarrfikëse, zjarri është vënë nën kontroll, ndërsa shërbimi zjarrfikës i Gramshit u ka bërë thirrje banorëve për më shumë kujdes, duke shmangur djegien e pakontrolluar të tokave.

Autoritetet kujtojnë gjithashtu pasojat e rënda të verës së kaluar në Skënderbegas, ku si pasojë e zjarreve humbi jetën një person, u prekën 68 banesa, prej të cilave 10 u shkrumbuan plotësisht, ndërsa u dogjën rreth 300 krerë bagëti dhe qindra hektarë tokë e pyje.

Në këto kushte, repartet zjarrfikëse janë vendosur në gatishmëri të shtuar dhe kërkojnë bashkëpunimin e qytetarëve për të parandaluar përsëritjen e situatave të ngjashme.

Raste zjarresh janë raportuar edhe në bashkinë e Librazhd, ku brenda një dite u evidentuan tre vatra, të cilat u neutralizuan në kohë. Megjithatë, gjatë javës së fundit janë djegur edhe dy banesa, njëra prej tyre e përdorur për aktivitet biznesi.