Qarkullimi në aksin nacional Elbasan–Librazhd–Përrenjas u rikthye sërish në kaos këtë pasdite, vetëm pak orë pasi situata ishte normalizuar përkohësisht.
Si pasojë e ngricave në rrugë dhe fluksit të lartë të automjeteve, mijëra udhëtarë që po udhëtojnë nga Përrenjasi dhe Librazhdi drejt Elbasanit mbetën të bllokuar për orë të tëra. Pamjet nga terreni tregojnë kolona të gjata makinash dhe qarkullim tepër të ngadaltë.
Gjendja u rëndua ndjeshëm në pikat më problematike të këtij aksi, të njohura për rrezikun e ngricave, si Kthesat e Murrashit, Dragostunjës dhe Pishkashit. Në këto segmente, mungesa e ndërhyrjes në kohë bëri që trafiku të paralizohej pothuajse plotësisht.
Një situatë e ngjashme u shënua edhe një ditë më parë, kur radhët e automjeteve u shtrinë për dhjetëra kilometra, nga Fushë Labinoti në Elbasan deri në Urën e Bushtricës në bashkinë e Përrenjasit, duke krijuar një gjendje të paprecedentë për këtë rrugë kombëtare.
Sipas burimeve, mungesa e masave parandaluese dhe reagimi i vonuar i strukturave përgjegjëse u kthyen në faktorët kryesorë që çuan në bllokimin masiv të qarkullimit.
Policia Rrugore apelon për kujdes të shtuar, ulje të shpejtësisë dhe përdorim të gomave dimërore në segmentet ku prezenca e ngricave mbetet problematike.
