Ballkani


bullgariaFrika nga pasojat e një krize financiare po luan rol të rëndësishëm në fushatën zgjedhore në Bullgari. Para zgjedhjeve parlamentare më 12 maj, në vend është rritur ekstremizmi dhe nacionalizmi.


Në fillim të këtij viti bullgarët demonstruan me javë të tëra. Demonstruesit, të cilët nuk i përkisnin ndonjë partie, protestuan kundër efekteve të krizës financiare, rritjes së çmimeve të energjisë dhe të papunësisë. Në shumë qytete të mëdha, aktivistët valëvisnin flamujt bullgarë dhe këndonin këngë patriotike nga shekulli i 19-të, koha e çlirimit prej “zgjedhës turke”, sundimit 500-vjeçar të Perandorisë Osmane. Dy vetë i vunë zjarrin vetes. Si pasojë e protestave, më 20 shkurt, qeveria e Kryeministrit Bojko Borisov dha dorëheqjen dhe shpalli mbajtjen e zgjedhjeve të reja më 12 maj. Megjithatë, fryma nacionaliste ndihet kudo dhe po influencon fushatën zgjedhore në vend.


Sot nuk kujtohet shumë njeri për osmanët. Demonstruesit bënin fjalë për një “sundim të të huajve” i një tipi tjetër – atë të operatorëve ndërkombëtarë të energjisë, dhe rrjeteve të supermarketeve, të cilët bullgarët i bëjnë përgjegjës për koston e lartë të jetesës. Për kulturologun Alexander Kiosev protestat kanë çuar qartësisht në rritjen e armiqësisë kundër të huajve. “Kryengritje të tilla dëshpërimi gjithmonë tentojnë t’i gjejnë fajtorët te të ashtuquajturit të huaj. Jo vetëm investitorët e huaj, por edhe turqit e romët shpesh bëhen tabelë qitjeje për agresivitetin, i rrezikshëm edhe nga prezenca e huliganëve të futbollit dhe kriminelëve”.


“Turqit” – kur thuhet kështu fjala është për minoritetin turqishtfolës dhe mysliman në Bullgari, i cili përbën rreth 8% të popullsisë bullgare. Po këtë përqindje arrin edhe komuniteti rom, sipas statistikave. Për partitë populiste si aleanca “Ataka”, e përfaqësuar si në Parlamentin bullgar ashtu edhe në Parlamentin Europian, këta dy minoritete janë dy armiqtë e pastër të vendit. Për vite të tëra, “Ataka” korrte sukses politik me protestat kundër xhamive të reja, kundër mësimit të turqishtes në shkolla, apo me pretendimet se popullsia rome jeton në kurriz të “bullgarëve të vërtetë” dhe shfrytëzon sistemin social të vendit që edhe pa ta është i dobët. Dwelle