Fermerët: Është e vetmja mënyrë për të shpëtuar, shteti duhet të subvencionojë


Prej disa vitesh në zonën e Nënshkodrës është krijuar konfederata e fermerëve të Shkodrës që është bashkim i fermerëve në një kooperative të madhe. Në këtë konfederatë janë 72 fermerë nga Oblika, Vukatana, Kosmaci dhe Dobre. Punimi i tokës në mënyrë të përbashkët, teknikat e mbjelljes në mënyrë të përbashkët, trajnimet në mënyrë të përbashkët dhe gjetja e tregjeve për shitje po në mënyrë të përbashkët ka krijuar te fermerët e kësaj zonë një tip kooperative që duket se është duke dhënë mjaft rezultat. Madje, një veçori e teknikës së mbjelljes së këtyre fermerëve është fakti se nuk përdoret uji, por toka mbulohet me plastmasë dhe shfrytëzohet avullimi që ndodh për të kryer ujitjen. Ky proces në gjuhën teknike quhet mulqerim dhe kjo është shumë e efektshme, pasi tokat e Nënshkodrës duke qenë se ndodhen pranë lumit kanë lagështirë të bollshme për avullim. Kjo lloj teknike ku përdoret 100% mulqerimi sipas fermerëve aplikohet vetëm në Nënshkodër.


Ndërkohë, fermerët e federatës kërkojnë nga shteti të ndërhyhet me forma subvencionimi, gjithashtu fermerët shprehen se krijimi i kësaj federate ka qenë i nevojshëm, pasi dhe Bashkimi Europian nuk financon individë, por vetëm grupe fermerësh apo federata fermerësh. Fermerët në Shkodër shohin krijimin e kooperativave si e vetmja mënyrë për të shpëtuar bujqësinë shqiptare.


Specialisti agronom i kësaj federate Valtën Gocaj duke folur për gazetën shprehet: “Kjo federatë është krijuar në vitin 2008 nga një koperacion spanjoll CERAI. Nga viti në vit numri fermerëve sa vjen dhe shtohet. Aktualisht kemi 72 fermerë ku të gjithë bashkë kanë 15 ha sera dhe 62 ha arë të mbjellë me perime. Krijimi i kësaj federate u bë për të shpëtuar bukësin”. Sipas agronomit, është shumë e nevojshme që shteti të japë subvencionime për fermerë. Ndërkohë, një tjetër specialist i bujqësisë së kësaj federate, Hajdar Maldi, duke folur për gazetën sqaron anën teknike që përdorin fermerët për mbjellje ku uji nuk përdoret aspak për ujitje, por shfrytëzohet procesi i avullimit. Sipas agronomit Hajdar Maldi tokat e mbjella mbulohen me plastmasë dhe duke qenë toka të lagështa, pasi kanë lumenj dhe burime nëntokësore shumë pranë kanë lagështirë.