Problemet renale dhe ato kardiake kanë nisur që herët tek të rinjtë shqiptarë.

Një studim i kryer te studentët e Universitetit Bujqësor tregon se të rinjtë kanë rezultuar me vlera të larta të presionit arterial.

1 në 2 djem të moshës 20-21 vjeç ka shfaqur tension të lartë. Dhe kjo është më shumë se një alarm shëndetësor.

“1 në 2 djem dhe 1 në 3 vajza kanë shfaqur vlera të larta të tensionit. Po kështu, janë konstatuar vlera të larta të glikemisë”, shprehet Erand Llanaj, epidemiolog molekular, Qendra Kombëtare e Diabetit, Berlin.

Por çfarë bëjmë keq ne në Shqipëri?

Llanaj: Konsumojmë kripë 2-3 herë më shumë se norma e lejuar e OBSH-së, konsumojmë ushqime të shpejta, fast-food.

Si mund ta parandalojmë?

Llanaj: “Shiko pranë universiteteve, ke vetëm kafene që ofrojnë kafe me bustina sheqeri ku hedhim dy-tre, pije të sheqerosura, fast-food. Nuk ka një mensë të përballueshme ku studentët të ushqehen. Duhet bërë një udhërrëfyes për ushqimin sipas gjenetikës sonë, kulturës sonë.”

Ushqimet, por edhe dieta mesdhetare e aplikuar gabim, nuk çojnë tjetër veçse në shtimin e sëmundshmërisë, siç po ndodh edhe në mosha fare të reja. Kjo nuk është vetëm çështje individuale, por kërkohen politika të mirëfillta për parandalimin e tyre. Në studim morën pjesë 260 persona, të cilët iu nënshtruan matjeve specifike.//TCH