Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka publikuar sloganin e protestës së thirrur më 15 Mars, kundër mbylljes së aplikacionit TikTok.

Në një postim në rrjete sociale nga vetë kreu i PD-së, shihet se slogani i protestës është “Rinia kundër censurës”, ndërsa bëhet me dije se protesta do të fillojë në orën 19:00, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit.”

Kujtojmë se Berisha njoftoi protestën pas vendimit të qeverisë për të pezulluar aksesin në këtë platformë në Shqipëri, për një periudhë 12 mujore. Berisha madje iu drejtua nxënësve të shkollave që të protestojnë duke bojkotuar orët e mësimit.

Postimi i Berishës:

PROTESTË KOMBËTARE

Rinia kundër censurës. Në mbrojtje të fjalës së lirë!

15 Mars, ora 19:00, Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”

Protesta e thirrur nga PD, kundërshton mbylljen e aplikacionit Tik-Tok. Partia Demokratike dhe kryetari i kësaj force politike Sali Berisha ka deklaruar se mbyllja e TikTok është në kundërshtim me liritë dhe të drejtat e njeriut, dhe se mbyllja e rrjetit social u bë pak përpara zgjedhjeve.

Ai ka deklaruar se më 15 mars demokratët do të protestojnë kundër censurës, ndërsa shton se kryeministri Edi Rama nuk ka të drejtë të privojë qytetarët nga një mjet komunikimi si “Tik Tok”.