Pas një ndërprerjeje prej afro dy orësh, seanca plenare në Kuvend ka rinisur mes tensioneve të larta politike. Shkak për përplasjen është bërë kërkesa e Partisë Socialiste për të miratuar me procedurë të përshpejtuar ndryshimet në rregulloren e Kuvendit, çka ka sjellë reagim të ashpër nga opozita.
Deputetët opozitarë kanë akuzuar kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi, se po shkel Kushtetutën dhe po vepron nën diktatin e ekzekutivit. Sipas tyre, është hera e parë që “strukturat e pushtetit ekzekutiv diktojnë organizimin dhe funksionimin e legjislativit”, duke ngushtuar hapësirat e opozitës në vendimmarrje dhe mbikëqyrje parlamentare.
Nga ana tjetër, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, mohoi akuzat, duke deklaruar se “për herë të parë opozitës i janë dhënë më shumë fusha përgjegjësie dhe drejtimi në komisionet parlamentare”. Ai theksoi se mazhoranca ka ofruar hapësira të ndershme për të gjithë, përfshirë komisione me rëndësi thelbësore.
Tensionet u rritën më tej nga ndërhyrja e kryetarit të PD-së, Sali Berisha, i cili akuzoi kryeparlamentarin Peleshi për “puç ndaj Kushtetutës” dhe e cilësoi procedurën si antikushtetuese dhe antidemokratike.
Seanca vijon me tension, ndërsa pritet që miratimi i ndryshimeve në rregullore të shoqërohet me debate të forta dhe, ndoshta, bojkote nga opozita.