Qeveria shqiptare dhe ajo greke pritet të nisin bisedimet për të zgjidhur çështjen e përcaktimit të vijës detare.

Sipas mediave greke, javën e ardhshme në Shqipëri mbërrin ministri i Mbrojtjes së Greqisë, Nikos Dendias, i njëjti që para 6 vitesh, si ministër i jashtëm, ra dakord në Tiranë për të çuar detin në Gjykatë Ndërkombëtare. Dendias mësohet se do të takohet me kryeministrin Edi Rama dhe homologun e tij shqiptar, ministrin e Mbrojtjes, Ermal Nufi.

Rifillimi i negociatave vjen në një klimë pozitive për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë, të cilat u ftohën disa vite më parë për shkak të çështjes Beleri. Sipas raportimeve, tashmë Greqia ka vullnet për ta zgjidhur çështjen e detit, duke i ofruar po ashtu ndihmë teknike Shqipërisë për arritjen e një marrëveshjeje sa më shpejt, kjo edhe në frymën e mbështetjes për integrimin në Bashkimin Europian.

Muajin e kaluar, në Athinë, Rama dhe Mitsotakis ranë dakord për një partneritet të ri strategjik mes Shqipërisë dhe Greqisë brenda vitit, me zotimin se në këtë hark kohor do të ulen dhe do të zgjidhin të gjitha çështjet e mbartura, nga deti, ligji i luftës, minoriteti dhe pensionet e emigrantëve.