Ende nuk ka dalë rezultati për zbardhjen e shkaqeve të “tërmeteve” në këtë zonë
Frika: Sipas hetimeve, të gjitha banesat e fshatit Zharrës kanë pësuar dëmtime, ndërkohë që 50 prej tyre mendohet se janë të pasigurta për jetesë
Fier – Sapo ka përfunduar afati i premtuar nga qeveria për zbardhjen e shkaqeve të “tërmeteve” të Zharrëzës, toka e kësaj zone ka nisur të lëkundet sërish. Tri ditët e fundit janë konstatuar lëkundje të reja, ku më e forta ka qenë ajo e orëve të para të mëngjesit të djeshëm. Kanë qenë banorët e zonës, ata të cilët kanë ringritur në media shqetësimin e përsëritjes së lëkundjes së tokës, duke akuzuar kompaninë naftënxjerrëse kanadeze “Banker’s” si shkaktare. Sipas tyre, gjatë tri ditëve të fundit ka pasur lëkundje në orët e paradites, por që nuk kanë qenë aq të fuqishme sa ato që shkaktuan reagimin e popullatës së kësaj zone deri në zhvillimin e protestave. Aktin e lëkundjeve të ditës së djeshme e ka pranuar edhe kryetari i Komunës së Zharrëzës, Taulant Grëmbi. Ai foli edhe për rezultatin e hetimit për gjetjen e shkaqeve të lëkundjeve sizmike në zonën e Zharrëzës, ndërkohë që theksoi se grupi i punës, i udhëhequr nga AKBN-ja, ka përfunduar verifikimet në terren. Ai shtoi se ende nuk ka një konkluzion përfundimtar për shkaqet e lëkundjeve, ndërsa sqaroi se nga verifikimet është konstatuar se gati të gjitha banesat kanë pësuar dëmtime, ku rreth 50 prej tyre janë kthyer në gjendje të pasigurt. Drejtuesit e grupit të punës, të ngritur nga qeveria për gjetjen e shkaqeve që shkaktojnë lëkundjet e tokës në Zharrëz, pohuan një muaj më parë se në fund të shtatorit do të kishte një konkluzion përfundimtar. Është hera e dytë që AKBN-ja ka ngritur grupe pune për gjetjen e këtyre shkaqeve, por në të dyja rastet nuk ka pasur asnjë përfundim. Ndërkaq, disa banorë të zonës, të cilët kanë protestuar kundër kompanisë “Banker’s” që e akuzojnë si shkaktare të “tërmeteve”, janë arrestuar nga policia dhe ndodhen në qeli. Nga burime të gazetës është mësuar se lëkundjet e tokës shkaktohen për shkak të shfrytëzimit pa kriter dhe jashtë normave ligjore të naftës nga kompanitë naftënxjerrëse që operojnë në zonën e Zharrëzës. Dyshohet se në ujin që injektohet në puse shtohet një solucion që shkakton shkriftimin e shtresës ranore ku ndodhet nafta. Me nxjerrjen e naftës, në sipërfaqe del edhe rëra e përftuar nga shkriftimi i shtresës ranore dhe uji shkakton ngjeshjen e shtresës tjetër e për pasojë lëkundjet sizmike.
E. Hoxha