6 janari, dita e shenjtë e Ujit të Bekuar, është kremtuar me solemnitet në disa qytete të Shqipërisë, ku besimtarët ortodoksë kanë festuar dhe kujtuar Pagëzimin e Jezu Krishtit. Edhe pse moti ka qenë i keq në shumë zona, kjo nuk ka penguar zhvillimin e ritualeve tradicionale, që për çdo vit mbledhin besimtarët për të kremtuar këtë ngjarje të shenjtë.

Në Vlorë, ceremonia e hedhjes së kryqit në det është zhvilluar në zonën afër portit, ku besimtarët kanë ndjekur ritualin tradicional pavarësisht kushteve atmosferike të vështira. Prifti Kostandin Prifti, i shoqëruar nga besimtarët, ka kryer ceremoninë dhe ka hedhur kryqin në det. I vetmi që ka arritur të kapë kryqin mes dallgëve të detit ishte 30-vjeçari Mario Nesturi. Pas ceremonisë, prifti uroi besimtarët për shëndet, gëzim dhe paqe, duke uruar një Ditë të Bekuar të Ujit për të gjithë shqiptarët.

Po ashtu, në Sarandë, ceremonitë për Diten e Ujit të Bekuar janë zhvilluar me shumë solemnitet. Besimtarët janë mbledhur në Kishën e Shën Harallambit, ku morën pjesë në meshën për bekimin e ujit të shenjtë, dhënë nga Athanail, Despoti i Gjirokastrës, i cili ka përçuar mesazhe paqeje dhe shprese. Pas meshës, besimtarët janë spërkatur me ujin e bekuar dhe më pas kanë ndjekur ceremoninë e hedhjes së kryqit në ujërat e Jonit.

Kryqi është hedhur nga trampolina e ngritur buzë detit, përballë kishës, dhe ka simbolizuar bekimin e të gjitha ujërave. Pas hedhjes së kryqit, disa të rinj kanë hyrë në ujërat e ftohta për ta kapur, ndër ta Andrea Baruta nga Derviçani, i cili e ka kapur për herë të dytë këtë vit. Ai ka falënderuar Zotin dhe ka uruar për paqe dhe shëndet.

Në Korçë, megjithatë reshjet e dendura të shiut nuk kanë penguar besimtarët të festojnë këtë ditë të shenjtë. Pas meshës në Katedralen “Ngjallja e Krishtit”, besimtarët janë drejtuar tek shatërvani në lulishtjen “Vangjush Mio” për të marrë pjesë në ceremoninë e hedhjes së kryqit në ujë. Pas nxjerrjes së kryqit nga uji, Ervis Rakipi, i riu që e kap kryqin, uroi për mbarësi të gjitha familjet korçare. Besimtarët pastaj mbushën shishe me ujë të bekuar, të cilin e morën për t’ua dhuruar familjeve të tyre për shëndet dhe mirëqenie.