Roani është foshnja i sapolindur i cili po përballet me probleme shëndetësore, që nga dita kur erdhi në jetë.
Luljeta, gjyshja e Roanit, në studion e “Për Shqiptarët” kërkoi ndihmë për shërimin e nipit të saj.
Historia e Roanit nuk është vetëm historia e një fëmije të porsalindur që po lufton për jetën, por është edhe historia e dy prindërve të cilët po bëjnë çmos që tragjedia e humbjes së një fëmije mos të përsëritet në familjen e tyre, edhe kur mjekët nuk japin më shpresë.
Arveni dhe Erlida për këto 6 javë që djali i tyre ndodhet në spital, nuk janë larguar në asnjë moment nga aty.
Kalojnë çdo orë duke pritur një lajm, në stolat e oborrit, në makinë ose në ndonjë cep lulishteje, pothuajse pa ngrënë e pa fjetur sepse nuk mund të hanë e të flenë kur djali i tyre po lufton për jetën.
Roani ka nevojë për ndihmë, andaj familjarët u drejtuan në “Për Shqiptarët” me një thirrje për të kontribuar që ai të dërgohet për kurim të specializuar.

