Prindërit nuk i sigurojnë dot paratë e shkollimit tonë, janë të papunë
Lorina Mixha
Një grup përfaqësuesish të komunitetit rom dhe ballkano-egjiptianëve, i kërkojnë ndihmë Kryeministrit Sali Berisha lidhur me shpenzimet e shkollimit. Bëhet fjalë për librat e sistemit parauniversitar, gjimnaz apo shkolla teknike, pasi nga viti 2009 e këtej librat e fëmijëve të komunitetit rom rimbursohen nga fondet e qeverisë. Sipas përfaqësisë që ka përgatitur shkresën zyrtare dërguar Berishës, për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike të familjeve rome dhe egjiptiane, prindërit nuk mund të paguajnë shpenzimet e shkollimit për fëmijët. Kështu ata janë të detyruar të braktisin arsimin. Për të eliminuar këto raste, por edhe për t’i dhënë një ndihmë dhe një dorë nxënësve romë, i kërkohet Kryeministrit të vendit të parashikojë një fond në buxhetin e arsimit, për rimbursimin e teksteve shkollore për të gjithë romët që mësojnë në gjimnaze dhe shkolla të mesme.
“Nisur nga problematikat në vazhdimësi ekonomike dhe sociale me të cilat përballet komuniteti rom dhe egjiptian, ne, të rinjtë e komunitetit rom dhe egjiptian kërkojmë që përmes kësaj shkrese, të bëhet e mundur shtrirja e praktikës pozitive e vitit shkollor 2011-2012 edhe te fëmijët e komunitetit egjiptian, gjë që do të nxiste frekuentimin e shkollës dhe arsimimin e mëtejshëm. Gjithashtu shtrirja e kësaj praktike pozitive në të gjitha ciklet e arsimit parauniversitar 9-vjeçar dhe të mesëm do të lehtësonte arsimimin e brezit të ri, i cili në të ardhmen do të përfaqësojë denjësisht këtë komunitet, si dhe të kontribuojë cilësisht në zhvillimin e shoqërisë shqiptare.
Nisur nga sa më sipër dhe në mbështetje të përpjekjeve të institucioneve vendase, shoqërisë civile dhe organizatave ndërkombëtare për të përmirësuar pjesëmarrjen e komunitetit rom dhe egjiptian në marrjen e shërbimit arsimor si rruga më rezultative në zhbërjen e rrethit vicioz të varfërisë, kërkojmë që vendimi i Këshillit të Ministrave për “Botimin, shtypjen, shpërndarjen dhe shitjen e teksteve shkollore, të sistemit parauniversitar” të përfshijë edhe fëmijët e komunitetit egjiptian, të cilët mësojnë në arsimin 9-vjeçar si përfitues të teksteve shkollore falas.
“Praktika e zbatuar vetëm për nxënësit rom të arsimit 9-vjeçar pati ndikim pozitiv në rritjen e frekuentimit të shkollës duke lehtësuar njëkohësisht edhe barrën financiare për familjet rome. Ne kërkojmë që kjo praktikë të shtrihet edhe tek fëmijët e komunitetit egjiptian gjithashtu edhe për ciklin e mesëm që do të nxiste frekuentimin e shkollës dhe arsimimin e mëtejshëm”, tha Brisilda Taço, aktiviste rome.
“Dëshirojmë t’ju vëmë në dukje se familjet rome dhe egjiptiane përballen me vështirësi të mprehta ekonomike dhe sociale, të cilat e bëjnë të pamundur vijimin e arsimimit të fëmijëve nga cikli 9-vjeçar në atë të mesëm, gjë që më pas ul ndjeshëm numrin e të rinjve romë dhe egjiptianë që studiojnë në arsimin e lartë. Për të zbutur sadopak këto rrethana të pafavorshme për arsimimin e mëtejshëm të komunitetit rom dhe egjiptian, kërkojmë që fëmijët romë dhe egjiptianë që priren për të vijuar arsimin e mesëm, të përfshihen në skemën e përfitimit të teksteve falas, e cila do të kishte efekte financiare të papërfillshme për buxhetin e shtetit, por që do të përbënte një mbështetje të rëndësishme për të rinjtë romë dhe egjiptianë, të cilët synojnë shkollimin e mëtejshëm”, thuhet në shkresën drejtuar Kryeministrisë. Po ashtu, një tjetër kërkesë vjen për zbatimin e ligjit të arsimit parauniversitar miratuar në qershor 2013, i cili në nenin 28 parashikon detyrimin e buxhetit të shtetit dhe përgjegjësinë e qeverisë vendore për të mbështetur fëmijët, pjesë e familjeve në nevojë, të cilët frekuentojnë arsimin parauniversitar.
Census
Rreth 56% e popullatës rome dhe 25% e asaj egjiptiane janë analfabetë krahasuar kjo me vetëm 2.8% e nivelit të analfabetizmit në popullatën e përgjithshme sipas censusit
Tekstet
25% e romëve dhe 28% e egjiptianëve kanë përfunduar vetëm arsimin fillor, ndërsa si shkak kryesor që pengon arsimin e tyre renditet pamundësia e blerjes së teksteve dhe artikujve shkollore
Të ardhurat
Konfirmohet nga SOROS se 42% e romëve janë të papunë dhe se rreth 40% e familjeve rome deklarojnë si burimin kryesor të jetesës të ardhurat që sigurohen nga aktivitete joformale