Policia greke ka arrestuar tre persona, të dyshuar për përfshirjen në një sulm të dhunshëm ndaj një shtetasi indian në Thiva.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 06:00 të së shtunës, në rrugën “Dirkis”, ku dyshohet se tre personat kanë sulmuar dhe rrahur viktimën.
Sipas mediave greke, të arrestuarit janë dy persona me origjinë shqiptare dhe një shtetas grek.
Burri indian tentoi të largohej drejt zonës qendrore të këmbësorëve në Thiva, por autorët dyshohet se e ndoqën dhe vijuan ta godisnin.
Pas ngjarjes, policia greke nisi hetimet për identifikimin e personave të përfshirë, duke analizuar edhe pamjet e kamerave të sigurisë.
Tre të dyshuarit u lokalizuan dhe u arrestuan të dielën. Sipas informacioneve të publikuara, njëri prej tyre banonte në një shtëpi në rrugën kryesore të këmbësorëve në Thiva.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motivit të sulmit vijojnë.
