Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Krujë, ku punonjësi i policisë Klevis Koni është arrestuar nga AMP. Kjo pas akuzave për kanosje dhe dhunë ndaj një personi. Sipas hetimeve, Koni, së bashku me babanë e tij, D. K., ka kanosur dhe dhunuar fizikisht një tjetër person, B. K., gjatë një incidenti që ndodhi të mërkurën.

Pasi ka pësuar dhunën, B. K. ka kërkuar ndihmë mjekësore dhe është dërguar me urgjencë në Spitalin e Traumës, ku është trajtuar për lëndimet e marra. Sipas informacioneve, hetimet po vazhdojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të përcaktuar shkakun e këtij akti të dhunshëm.

Klevis Koni, i cili ishte jashtë shërbimit në momentin e ngjarjes, akuzohet për veprat penale “Kanosja” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, ndërkohë që është marrë në pyetje nga autoritetet për këtë incident.

NJOFTIMI:

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Durrës – Kavajë) nën drejtimin e Prokururisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka arrestuar në flagrancë punonjësin e policisë K.K., me detyrë Trupë Shërbimi/ Patrullë e Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Krujë, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Kanosja” dhe “Shpërdorim i detyrës” parashikuar në nenet 84 dhe 248 të Kodit Penal.

Arrestimi u bë i mundur pasi ditën e djeshme, punonjësi i policisë (jashtë shërbimit) në bashkëpunim më babain e tij, shtetasin D.K., për motive të dobëta kanë kanosur dhe dhunuar fizikisht shtetasin B.K., i cili ka marrë ndihmën mjekësore në Spitalin e Traumës.

Materialet proceduriale u referuan në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.