Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Itali, ku 46-vjeçarja Ornella Forastefano ka humbur jetën pasi dyshohet se është dhunuar rëndë. Në qendër të hetimeve është partneri i saj, një 42-vjeçar me origjinë shqiptare Elvis Metvelaj, i cili është ndaluar nga autoritetet italiane në portin e Barit.
Sipas raportimeve të mediave italiane, burri u lokalizua teksa ndodhej në port dhe dyshohet se po përgatitej të largohej nga Italia me traget drejt Shqipërisë. Ai është shoqëruar nga policia dhe po merret në pyetje për të sqaruar pozicionin e tij në ngjarje.
Vdekja e 46-vjeçares u konstatua gjatë natës, pasi ajo u gjet në gjendje kritike pranë hyrjes së urgjencës së spitalit në Trebisacce. Personeli mjekësor tentoi ta mbante në jetë, por ndërhyrja rezultoi e pasuksesshme për shkak të dëmtimeve të rënda që gruaja kishte pësuar.
Ngjarja dyshohet se ka ndodhur rreth orës 03:00. Gjendja në të cilën u gjet trupi dhe dëmtimet e konstatuara në pjesë të ndryshme të tij kanë ngritur dyshimet se Forastefano mund të ketë qenë viktimë e një sulmi të dhunshëm.
Menjëherë pas ngjarjes, hetuesit nisën kërkimet për partnerin e saj, i cili nuk ndodhej në banesën ku çifti jetonte. Kërkimet përfunduan në Bari, ku 42-vjeçari u ndalua në zonën e portit. Autoritetet po verifikojnë nëse ai kishte ndërmend të largohej drejt Shqipërisë.
I dyshuari rezulton të ketë pasur edhe më parë probleme me drejtësinë italiane për çështje të lidhura me lëndët narkotike. Forastefano dhe 42-vjeçari mësohet se bashkëjetonin prej afërsisht një viti.
Një tjetër element që po hetohet është mënyra se si viktima përfundoi pranë urgjencës. Deri tani nuk është përcaktuar se kush e transportoi atje dhe nëse partneri i saj ka qenë personi që e ka dërguar. Hetuesit po përpiqen gjithashtu të përcaktojnë vendin ku gruaja ka pësuar dëmtimet fatale.
Çështja është në duart e Prokurorisë së Castrovillarit, ndërsa pritet që ekzaminimet mjeko-ligjore dhe provat e mbledhura të ndihmojnë në rindërtimin e orëve të fundit të jetës së 46-vjeçares dhe në përcaktimin e përgjegjësive.
Ornella Forastefano ishte e njohur në Trebisacce, ku menaxhonte një bar në qendër të qytetit së bashku me dy fëmijët e saj.
