E diplomuar në dy fakultete, 27-vjeçares i mbylleshin dyert padrejtësisht


Personazhi – Enerida Isufi denoncoi publikisht tek “unëflas.al”, diskriminimin që e shoqëronte ngado, në çdo vend ku kërkonte punë


Punësimi – Sot, ajo është punësuar në Bashkinë e Tiranës, në një prej zyrave të hapura, që ka për qëllim luftën kundër diskriminimit


Premtimi – “Do të punoj fort për të mbrojtur komunitetin që përfaqësoj nga diskriminimi dhe këtë do ta filloj nga institucioni ku punoj”


Shoqëria – “Ky është një lloj diskriminimi, që të paktën jo vetëm unë, por pjesa më e madhe e të rinjve romë të diplomuar përballen”


Shpresa Mezini


Bashkia-e-TiranesAjo u bë e njohur disa muaj më parë nëpërmjet portalit “unëflas.al”, projekt i fondacionit “Dritan Hoxha”, për historinë e dhembshme të saj. Bëhet fjalë për vajzën 24-vjeçare, rome, Enerida Isufi, e cila denoncoi publikisht diskriminimin racial, që e ndëshkonte në çdo vend pune ku paraqitej për t’u punësuar. Pas dyerve të panumërta ku kishte trokitur, pas shumë e shumë vështirësish, 27-vjeçarja, e diplomuar në 2 fakultete, një prej të cilëve në Universitetin e Tiranës, ndërsa tjetri në privat, sot është e punësuar.


Enerida është diplomuar në degën e Marrëdhënieve Publike dhe Komunikim, në një universitet privat, si dhe për Drejtësi në Universitetin e Tiranës. Ajo ka lindur dhe është rritur në një familje rome në qytetin e Pogradecit, ndërsa vitet e studimit i ka kryer në Tiranë.


Enerida theu një tabu, në të mirë të saj, por edhe të bashkëmoshatareve të tjera, pavarësisht komunitetit që i përkasin. Ajo reagoi për një padrejtësi që po i bëhej të ardhmes së saj, asaj për të cilën kishte investuar me mund duke mësuar, por edhe duke shpenzuar. Pa hezitim 27-vjeçarja pranoi se ishte rome në sy të të gjithëve dhe kërkoi dënimin e këtij fenomeni që errëson jetën e të rinjve të shkolluar, të atyre që besojnë tek aftësitë e tyre dhe që duan t’i provojnë ato.


“Janë krijuar stereotipa dhe paragjykime në lidhje me këtë minoritet. Ky është një lloj diskriminimi aq më tepër rastet reale, që të paktën jo vetëm unë, por pjesa më e madhe e të rinjve romë të diplomuar përballen”, tha Enerida. Ajo thekson se gjatë viteve të studimit është angazhuar gjerësisht në organizatat jofitimprurëse në mbështetje të komunitetit rom, eksperiencë që do ta vazhdojë sërish, si një formë kuraje dhe mbështetje për ata që druhen të pranojnë vetveten dhe të kërkojnë të drejtën e tyre në sy të të gjithëve.


Kompani të ndryshme private apo edhe institucione shtetërore nuk bënë në asnjë moment përpjekjen më të vogël për t’i dhënë një drejtim jetës së saj, investimit që ajo ka bërë për vite të tëra studimi. I vetmi institucion që reagoi është Bashkia e Tiranës, e cila sot, falë saj, punon në një zyrë të hapur që ka për qëllim luftën kundër diskriminimit.


Enerida, që është diskriminuar rregullisht në audicionet ku kërkonte punë, për shkak të faktit se është rome, sot do të shërbejë në një prej zyrave të Bashkisë së Tiranës, për të dënuar këtë fenomen dhe për t’i bërë pjesëtarët e këtij komuniteti të ndihen të njëjtë me të tjerët, me të drejta të barabarta. Historia e saj është kthyer në një shembull të mirë për të mposhtur frikën që 27-vjeçaren e ka shoqëruar gjatë gjithë këtyre viteve.


Enerida premton se do të punojë fort për të mbrojtur komunitetin që përfaqëson nga diskriminimi dhe këtë do ta fillojë që nga institucioni ku punon. E reja nuk harron të falënderojë fondacionin mediatik “Dritan Hoxha”, i cili përmes projektit të tij “unëflas.al”, realizoi mundësinë e punësimit të saj në një prej institucioneve më të rëndësishme në vend, siç është Bashkia e Tiranës.