Një shqiptar 36-vjeçar ka ndërruar jetë në Turqi pas trajtimeve estetike, një ngjarje që ka tronditur familjen dhe komunitetin që e njihte. Mentor Rama, i cili jetonte në Mbretërinë e Bashkuar, kishte udhëtuar javën e kaluar drejt Stambollit për trajtime dentare dhe transplant flokësh. Por pak orë pas procedurave, sapo ishte kthyer në hotel, ai nisi të ndihej keq dhe u dërgua me urgjencë në një spital pranë, ku ndërroi jetë më 11 nëntor.
Autoritetet turke kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e vdekjes, ndërsa trupi i tij u dërgua për ekzaminim në Këshillin e Mjekësisë Ligjore në Stamboll. Familjarët, të shokuar nga humbja, e janë shprehur se Rama ishte një njeri i dashur, i qeshur dhe i afërt me të gjithë.
Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme britanike ka konfirmuar për mediat se po i ofrohet ndihmë familjes së të ndjerit dhe se autoritetet britanike janë në kontakt me institucionet turke.
Pas riatdhesimit fillimisht në Mbretërinë e Bashkuar dhe më pas në Shqipëri, familjarët kanë ndarë mesazhe prekëse në rrjetet sociale për Mentor Ramën, duke e kujtuar si “dritën dhe forcën” e tyre.
Në një postim në Facebook, një familjar shpreh dhimbjen e thellë për ndarjen nga jeta të Mentor Ramës:
“Me humbjen tende, zemra ime asht me e rande se kurre. Ikja jote ka lan nje boshllek qe asgje ne kete bote nuk mund ta mbushe. Kurr nuk e kam menduar se do te me duhet te shkruaja fjale te tilla per ty. Ti ishe drita jone buzeqeshja qe na ngrohte forca qe na ngrinte sa here qe binim.
Ashte e pafund dhimbja kur mendoj se nuk do te shoh me nuk do ta degjoj ma zani tand as te qeshuren tande qe na gezonte te gjitheve. Zoti te paste ne driten dhe meshiren e Tij, shoku im Lutem qe shpirt yt te pushoje ne paqe dhe te gjeje vend ne xhenet, aty ku nuk ekziston as dhimbja, as merzia. Do te me mungosh çdo dite te jetes sime. Do te te mbaj ne zemer pergjithmone. Faleminderit per çdo kujtim qe me dhe per çdo fjale dhe çdo moment qe ndame bashke te Premtoj se ti nuk do te harrohesh kurre. Pushofsh ne paqe vëllai im Per mua ti do te mbetesh gjithmone i gjalle ne kujtime dhe ne dashurine qe le pas”.
Turqia vijon të mbetet një nga destinacionet kryesore për ndërhyrje estetike me kosto të ulët. Sipas të dhënave zyrtare britanike, të paktën 28 shtetas nga Mbretëria e Bashkuar kanë humbur jetën në vend ndërmjet viteve 2019 dhe 2024 si pasojë e komplikacioneve të procedurave estetike, pavarësisht paralajmërimeve të ekspertëve për rreziqet e turizmit mjekësor.
