Matura 2013
Ish-maturantët nuk do të testohen për provimet e detyruara, vetëm për ato me zgjedhje
Shpresa Mezini
Rregullorja e ndryshuar për maturën e vitit 2012-2013 është gati. Drejtori i arsimit parauniversitar në Ministrinë e Arsimit, sqaron se ka përfunduar hartimi i rregullores së ndryshuar për maturën e sivjetshme. “Rregullorja e Maturës Shtetërore është në momentet e fundit, ka kaluar në shumë duar, është marrë komiteti për maturën shtetërore, është parë nga ministri, i cili ka bërë vërejtjet dhe ndërhyrjet e përgjithshme, është parë nga sektori juridik, ndërsa pritet vetëm firma e ministrit Myqerem Tafaj”, tha Vejsiu.
Në rregulloren e maturës përfshihen disa ndryshime thelbësore, një nga të cilët është plotësimi i formularëve.
Kështu, të gjithë formularët ndryshe nga vitet e kaluara, do të plotësohen në mënyrë elektronike, ndërkohë që do të ketë reduktim të lëndëve me zgjedhje, për të cilat të rinjtë do të japin provim. Dy prej lëndëve që do të përjashtohen janë gjuhët e huaja, qofshin ato të parat apo të dytat.
“Në këtë rregullore parashikohet aplikimi online dhe për formularët A1, A1Z dhe për formularët A2. Aplikimi në këto dy dokumente të rëndësishme të maturantit dhe kandidatit është e legalizuar që do të bëhet online dhe kjo është parashikuar edhe në këtë rregullore”, thekson drejtori i arsimit parauniversitar.
Për sa i përket mënyrës së vlerësimit të testeve, Vejsiu thotë se do të jetë e njëjtë me atë të viteve të mëparshme, i trefishtë. Korrigjimi i provimeve të maturës, sipas ekspertëve të Ministrisë së Arsimit, ka rezultuar i efektshëm, nisur edhe nga fakti se nuk ka pasur shumë ankimime nga të rinjtë që kanë konkurruar. Ndryshim do të pësojnë procedurat e zhvillimit të provimeve, të cilat do të jenë më të rrepta. Sipas të dhënave, rezulton se do të rritet numri i administratorëve të maturës, ata të cilët do të monitorojnë kandidatët, ndërsa numri i këtyre të fundit për klasë do të jetë më i vogël.
Një nga ndryshimet e këtij viti është se maturantët e para vitit 2012 nuk do të lejohen që të zhvillojnë provimet e detyruara, nëse kanë rezultuar kalues në maturat e viteve të mëparshme. Mirëpo, përjashtim bëjnë maturantët që janë vlerësuar me 4.50. Kjo do të thotë që, ai nuk do të lejohet të përmirësojë notën për një provim ku nuk ka marrë rezultatin e dëshiruar. Përveç kësaj, këtyre maturantëve, në rast se janë testuar më shumë se një herë në një lëndë me zgjedhje, u njihet vetëm rezultati që kanë marrë herën e fundit. Një tjetër element për këta kandidatë është se në përllogaritjen e pikëve për sistemin meritë-preferencë për këto lëndë, merren koeficientet e vitit shkollor 2011-2012.
Duke iu referuar disa prej pikave që parashikon rregullorja e vitit të kaluar të maturës, rezulton se edhe sivjet ish-maturantët do të jenë të detyruar të testohen për 2 provimet me zgjedhje, për t’iu drejtuar studimeve të larta. Nga ky vendim, nuk përjashtohen ish-maturantët, të cilët janë të pajisur me dëftesë pjekurie dhe nuk i përkasin brezit të Maturës Shtetërore. Edhe për ta kushti do të jetë i njëjtë me konkurrentët e këtij viti, zhvillimi i testimeve me zgjedhje.
Rregullorja
Sivjet, formularët do të plotësohen në mënyrë elektronike, ndërkohë që do të ketë reduktim të lëndëve me zgjedhje
Vendimi
Ish-maturantët që kanë kaluar provimet e detyruara nuk do t’i japin ato sivjet. Test vetëm për lëndët me zgjedhje
Ndryshimi
Ish-maturanti i vlerësuar me notë mesatare do ta ruajë atë, nuk do të mund të përmirësojë notën, ndonëse është sërish konkurrent