Një ngjarje e rëndë tronditi Tiranën më 29 prill, kur një 68-vjeçar u mor me forcë në një makinë dhe u mbajt peng në një banesë të braktisur në fshatin Kakunjë, ndërsa autorët kërcënuan bashkëshorten e tij për t’u dorëzuar 2 milionë lekë në këmbim të lirisë së tij.
Policia reagoi menjëherë pas informacioneve të marra nga inteligjenca policore dhe zhvilloi operacionin e koduar “Imediat”, duke arrestuar 5 shtetas të dyshuar për përfshirje në këtë krim: S. S., 31 vjeç, K. S., 21 vjeç (vëllezër), I. M., 21 vjeç, B. I., 57 vjeç dhe N. B., 32 vjeçe – të gjithë banues në Tiranë.
Nga hetimet rezulton se tre autorët e parë kanë rrëmbyer viktimën në rrugën “George W. Bush”, e kanë çuar në një banesë të braktisur dhe më pas kanë kërcënuar bashkëshorten e tij për t’u dorëzuar paratë. Shuma prej 2 milionë lekësh iu dorëzua shtetasit B. I., ndërsa nga kontrollet u sekuestruan 1 746 000 lekë të dyshuara si të marra me shantazh.
Policia po vijon hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe për të zbuluar nëse autorët janë të përfshirë edhe në ngjarje të tjera kriminale.
