Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën do të mblidhet nesër për të shqyrtuar kërkesën e Partisë Socialiste për përjashtimin e deputetit Agron Shehaj nga punimet e Kuvendit për 60 ditë.
Kërkesa u depozitua pas incidentit të ndodhur gjatë shqyrtimit të marrëveshjes së huas direkte mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në kuadër të financimit të jashtëm ushtarak. Sipas PS-së, Shehaj ka marrë me forcë një dokument të klasifikuar nga ambientet e Kuvendit, pavarësisht se ishte informuar se materiali mund të konsultohej vetëm në sallën e posaçme dhe pas nënshkrimit të deklaratës së konfidencialitetit.
Në shkresën drejtuar kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, dhe Sekretariatit të Etikës, socialistët pretendojnë se deputeti i Partisë Mundësia ka tentuar të largohet me kopjen fizike të dokumentit, ndonëse stafi i Kuvendit i kishte bërë të qartë se kjo nuk lejohej.
Sipas kërkesës, gjatë përpjekjes për të rimarrë dokumentin, një këshilltare e Kuvendit është rrëzuar nga shkallët dhe ka pësuar dëmtime. PS pretendon se sjellja e Shehajt ka rrezikuar sigurinë e punonjëses dhe e cilëson atë si të dhunshme dhe të papranueshme.
Përveç masës disiplinore të përjashtimit për 60 ditë nga seancat plenare dhe komisionet parlamentare, Partia Socialiste ka kërkuar edhe referimin e çështjes pranë Prokurorisë së Posaçme (SPAK).
