Rritja e çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare pritet të ndikojë drejtpërdrejt në konsum dhe të reflektohet në shtrenjtimin e produkteve të tjera në vend. Sipas një studimi të ALTAX, inflacioni dhe kostot e jetesës mund të rriten nëse çmimet e naftës vijojnë të qëndrojnë në nivelet aktuale.
Rritja e çmimeve të karburanteve, e ndikuar nga konflikti në Lindjen e Mesme, pritet të shkaktojë një valë të re shtrenjtimi në ekonomi, sidomos nëse situata vijon të përshkallëzohet. Shqipëria, për shkak të varësisë nga importi i karburanteve dhe lidhjes direkte me bursat ndërkombëtare, i reflekton shpejt këto luhatje në tregun vendas.
Sipas ALTAX, një rritje e qëndrueshme me 10% e çmimeve të lëndëve djegëse në tregjet globale mund të sjellë një rritje të inflacionit me 0.3 deri në 0.5 pikë përqindje në afat të shkurtër, duke rritur ndjeshëm kostot për familjet shqiptare.
Në studim theksohet se efektet do të ndihen veçanërisht gjatë sezonit turistik, kur kërkesa për transport, furnizime dhe shërbime energjitike rritet ndjeshëm. Kjo pritet të përkeqësojë presionin inflacionist në sektorët që lidhen drejtpërdrejt me konsumatorin.
Transporti konsiderohet si sektori më i ekspozuar ndaj rritjes së çmimeve, pasi mbështetet kryesisht te nafta dhe përballet menjëherë me rritje të kostove operative. Ky efekt zinxhir ndikon më pas në të gjithë ekonominë, nga bujqësia dhe ndërtimi, deri te shërbimet dhe tregtia.



