Vendi është përfshirë këtë të premte nga reshje të dendura shiu, të cilat kanë shkaktuar probleme në disa zona. Në Himarë raportohet se rruga kryesore e fshatit Shën Vasil është bllokuar si pasojë e rrëshqitjeve të dherave, duke vështirësuar ndjeshëm qarkullimin e automjeteve dhe lëvizjen e banorëve. Situata paraqitet problematike, ndërsa rreziku mbetet i pranishëm nëse reshjet vijojnë me të njëjtin intensitet.
Banorët e zonës i kanë bërë thirrje autoriteteve për ndërhyrje të menjëhershme me mjete të rënda për pastrimin e rrugës dhe rikthimin e normalitetit. Sipas tyre, segmenti i prekur është jetik për lidhjen e fshatit me pjesën tjetër të bashkisë, ndërsa çdo vonesë në ndërhyrje mund të përkeqësojë situatën.
Ndërkohë, probleme janë raportuar edhe në zonën e Pylli i Sodës, ku erërat e forta kanë rrëzuar disa pemë gjatë orëve të para të mëngjesit. Rreth orës 04:00, një automjet është përplasur me një prej pemëve të rrëzuara në rrugë, duke shkaktuar bllokim të përkohshëm të qarkullimit për disa minuta. Fatmirësisht, nga ngjarja nuk raportohet për persona të lënduar.
