Lagjja “Pllakë”, një nga më të vjetrat e qytetit dhe pika e parë ku vizitorët hasin qytetin, është prej disa ditësh pothuajse e izoluar.
Rruga kryesore e lagjes është bllokuar nga një masiv dheu, duke penguar lëvizjen e banorëve dhe aksesin e vizitorëve. Një shtyllë elektrike ka rrëshkitur, duke lënë disa banesa pa energji elektrike prej disa ditësh. Bashkia e Gjirokastrës njofton se ndërhyrja për momentin nuk është e mundur për shkak se toka është e tejngopur me ujë.
Megjithëse autoritetet flasin për monitorim, në terren masa e vetme e dukshme është një shirit paralajmërues, që nuk frenon rrëshkitjen e dheut dhe as shqetësimin e banorëve. Pa një plan konkret emergjence dhe zgjidhje afatshkurtër, lagjja historike “Pllakë” mbetet nën kërcënimin e përditshëm nga rreziku i dheut.
