Rruga nacionale Herbel–Peshkopi, pjesë e Rrugës së Arbrit, gjatë orëve të natës ka pësuar rrëshqitje të skarpatës. Si pasojë, një korsi e rrugës është bllokuar nga balta dhe inertet që kanë përfunduar në asfalt.

Pavarësisht se për këtë segment rrugor janë shpenzuar miliona lekë, sa herë ka reshje shiu në këtë zonë, situata përsëritet me rrëshqitje të vazhdueshme, duke krijuar vështirësi serioze në qarkullimin e mjeteve, si në drejtim të Tiranës, ashtu edhe nga Tirana drejt Peshkopisë.

Në vendngjarje ndodhet Policia Rrugore, e cila po orienton drejtuesit e mjeteve të lëvizin me kujdes. Ndërkohë, mungojnë tabelat paralajmëruese që sinjalizojnë bllokimin e një korsie, çka rrit rrezikun për aksidente.