Qarku i Kukësit është përfshirë nga moti i keq edhe mëngjesin e kësaj të hëne, me reshje shiu dhe erëra të forta.

Bëhet e ditur se pas orës 08:00, reshjet e shiut janë ndërprerë, por në disa akse rrugore rurale dhe kombëtare janë shënuar rrëshqitje dherash dhe rënie gurësh në rrugë.

Nga informacionet paraprake bëhet e ditur se, disa rrugë rurale të fshatrave të Kukësit si Lojme, Bele, Cërnalevë, Oreshkë, Zapot, Orgjost, Nimçë etj., kanë pësuar dëmtime për shkak të shembjeve të dherave.

Ndërkohë, në akset kombëtare Kukës–Bushticë, Kukës–Shishtavec, Kukës–Qafë Mali, Kukës–Krumë–Tropojë, Tropojë–Qafë Morinë dhe Fierëz, ka prezencë të gurëve të rënë në rrugë.

Nga ana tjetër, disa fshatra të zonave të thella të Kukësit vijojnë të kenë probleme me furnizimin me energji elektrike.

Megjithatë, reshjet e shiut kanë sjellë një përmirësim të ndjeshëm të situatës hidrike në Liqenin e Kukësit, si rezultat i rritjes së ndjeshme të prurjeve në lumenjtë Drini i Zi, Drini i Bardhë dhe lumi Luma.

Rrënojat e Kukësit të Vjetër, që ndodhen në këtë basen, tashmë janë mbuluar nga uji. Pamjet tregojnë se niveli i ujit po rritet me disa metra në ditë, duke i dhënë një frymëmarrje prodhimit të energjisë elektrike në vend, pas periudhës së thatësirës së tejzgjatur.

Situata në Qarkun Kukës deri më tani:

I gjithë territori i Qarkut Kukës vazhdon të jetë i përfshirë nga reshje shiu me intensitet të ulët deri në mesatar.

Si rezultat i reshjeve rrugët nacionale kanë qenë nën trysninë e rënies së gurëve dhe inerteve.

Nga subjektet kontaktore është punuar gjatë gjithë ditës për pastrimin dhe mbajtjen e tyre funksionale.

Të gjitha akset rrugore nacionale janë të qarkullueshme normalisht.

Nga bashkitë Kukës, Tropojë dhe Has nuk kemi raportime për ndonjë problematikë emergjente.

I gjithë Qarku i Kukësit furnizohet me energji elektrike përveç, Nj. Adm Zapod, Topojan, Shishtavec, Kolsh Surroj dhe Malzi bashkia Kukës, Nj. Adm Llugaj dhe fshati Pac Nj. Adm. Bytyç bashkia Tropojë dhe Nj. Adm Golaj bashkia Has.

Furnizimi me ujë të pijshëm bëhet sipas orareve të përcaktuara nga D.R.U.K. Kukës.