Reshjet e dendura të shiut në formë rrebeshi që kanë përfshirë zonën juglindore të vendit kanë shkaktuar probleme në qarkullimin rrugor.

Si pasojë e motit të keq, është regjistruar një rrëshqitje dherash në aksin rrugor Moglicë–Gramsh, duke vështirësuar lëvizjen e mjeteve në këtë segment.

Sipas informacioneve paraprake, rrëshqitja ka ndodhur në vendin e njohur si “Shkëmbi i Dobërçanit”.

Në terren ndodhen mjetet e Bashkisë Maliq dhe firma nënkontraktore, të cilat po punojnë për pastrimin e materialeve të rëna dhe hapjen sa më të shpejtë të aksit rrugor.

Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes gjatë lëvizjes në zonat e prekura nga reshjet intensive.