Spitali Ushtarak
Bluzat e bardha nisin kërkesat. Nëse heqin statusin dhe largohen nga puna, rrezikojnë asistencën dhe pensionin
Lorina Mixha
Mjekët e Spitalit Ushtarak, me grada, me formim ushtarak përveçse shëndetësor, po nisin të bëjnë kërkesa për t’u çmobilizuar. Kështu, pas diskutimit dhe debatit për kalimin e Qendrës së Traumës në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë pasiguria për të mbajtur vendin e punës, por edhe frika e idesë së një spitali “pa grada”, ka bërë që shumica e mjekëve, infermierëve apo laborantëve të kërkojnë çmobilizim, zhveshje të uniformës dhe heqje të gradave.
Kërkesa dhe statusi
Sipas mjekëve të Spitalit Ushtarak, kërkesat për t’u çmobilizuar po diskutohen mes tyre, ndërkohë që janë vendosur në dijeni edhe drejtuesit e Spitalit Ushtarak për një vendim të tillë.
Po ashtu mjekët ushtarakë që nuk kanë dëshirë të bëjnë çmobilizim kanë njoftuar strukturat dhe Komisionin e Sigurisë për rrjedhojat që mund të ketë ky vendim i kohëve të fundit.
Mjekët ushtarakë, për shkak të statusit të tyre, në rast se largohen nga puna në mënyrë të beftë, apo nëse për shkaqe të ndryshme ndërpresin marrëdhëniet e punës me institucionin me argumentime të paqëndrueshme, atëherë ata mund t’i drejtohen gjykatës, të rimbursohen në vlerë monetare, madje të fitojnë edhe vendin e punës.
Po ashtu statusi i ushtarakut, me të cilën ata kanë nisur punë në qendrën spitalore, u garanton atyre asistencë në rast largimi nga puna, pension të parakohshëm, por edhe pension më të lartë për shkak të profesionit, kushteve ku kanë punuar dhe derdhjes së kontributeve.
“Kemi njoftuar Komisionin e Sigurisë, janë rreth 200 mjekë të cilët po kërkojnë të çmobilizohen dhe të kthehen në specialistë të thjeshtë, njësoj siç janë edhe mjekët e spitaleve civile, në qendrat shëndetësore rajonale apo edhe në spitalin ‘Nënë Tereza’. Kjo mund të ketë pasoja të rënda, prandaj kemi njoftuar Komisionin e Sigurisë, por edhe Komisionin Parlamentar të Shëndetësisë”, thanë mjekët e Spitalit Ushtarak.
Debati
Qendra e Traumës, e vendosur në Spitalin Ushtarak, ka ngjallur debate dhe polemika në qarkun e ushtarakëve, shëndetësisë, por edhe opinionit publik. Taksapaguesit që derdhin para për këtë sipërfaqe shtetërore duan të dinë nëse hapësira e këtij spitali do t’i jepet privatit. Ushtarakët duan të dinë nëse do të marrin kujdes shëndetësor në qendrën e ngritur për ta. Mjekët, nga ana tjetër, nuk e dinë nëse do të “zhvishen” për të mbajtur vendin e punës, apo nëse vendi i tyre do të shkurtohet.
Ministri i Mbrojtjes ka propozuar kalim të administrimit të këtij spitali Ministrisë së Shëndetësisë. Nga ana tjetër, Ministria e Shëndetësisë thotë se mund ta bëjë, por i duhen më shumë para.
Politrauma është shërbimi që pret të gjitha rastet e aksidenteve, tragjedive natyrore, fatkeqësive kombëtare. Për shkak të statusit, përgatitjes dhe përvojës si ushtarak, mjekët e kësaj qendre kanë trajtuar viktimat e Gërdecit, tragjedinë e Himarës, kanë përballuar të lënduarit në luftën e Kosovës e kështu me radhë. Qendra Kombëtare e Traumës, në Spitalin Ushtarak, e rikonstruktuar pak kohë më parë, do të përfshihet nga ndryshime të tjera ende të paqarta.
Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, ka propozuar kalimin e Qendrës së Politraumës në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë.
Kjo me argumentimin se ka kosto tepër të lartë të papërballueshme nga Mbrojtja, si dhe me arsyetimin se kontrolli i kësaj qendre bëhet vetëm nga ekspertë të shëndetësisë dhe jo të mbrojtjes.
Ndërkohë, Imami ka propozuar ngritjen e një Spitali Ushtarak fushor, stafi i të cilit të jetë i lëvizshëm edhe në rastet kur kërkohet dislokimi pranë Forcave të Armatosura Shqiptare që ndodhen në mision. Në këtë spital mendohet se do të punojnë 25% e mjekëve që mbajnë grada.
Të dhëna
Kërkesa – Një pjesë e mjekëve dhe infermierëve që po kërkojnë zhveshjen e uniformës ushtarake, e kanë menduar si zgjidhje për mbajtjen e vendit të punës para ndryshimit të administrimit
Komisioni – Mjekët ushtarakë që punojnë në spital dhe nuk duan të çmobilizohen, kanë njoftuar për numrin e lartë të kërkesave për çmobilizim, Komisionin e Sigurisë
Statusi – Mjekët e Spitalit Ushtarak, për shkak të statusit, kanë lehtësi dhe avantazhe nëse ata bëjnë çmobilizimin, rrezikojnë asistencën në rast largimi, por edhe pensionin