Gjykata britanike ka dënuar dy shtetas shqiptarë, Denis Puka (28 vjeç) dhe Erisjan Laska (29 vjeç), me nga 4 vjet e 8 muaj burg secili, pasi u shpallën fajtorë për një seri grabitjesh të organizuara në disa zona të Anglisë. Ata ishin pjesë e një grupi kriminal që realizoi shtatë grabitje dhe tentativa grabitjeje në një periudhë tre ditore në muajin qershor të vitit të kaluar.

Sipas mediave britanike, grabitësit ishin shumë të organizuar dhe përdornin një banesë në Airbnb në Warrington si bazë operimi. Ata udhëtonin me një automjet Seat Leon, i pajisur me targa të falsifikuara, të cilat i ndërronin gjatë veprimeve për të shmangur identifikimin. Gjyqtari i çështjes, Steven Everett, e cilësoi veprimtarinë e tyre si “të sofistikuar dhe të mirëplanifikuar”, duke theksuar se ata ishin të pajisur me mjete të specializuara për thyerje dhe maska, që tregojnë një nivel të lartë përgatitjeje për grabitje të përsëritura.

Një nga viktimat e tentativave të grabitjes ishte futbollisti Scott Hogan, aktualisht pjesë e Milton Keynes Dons. Prokurorja Nardeen Nemat përshkroi tentativën e grabitjes në shtëpinë e tij, ku bashkëshortja e tij shtatzënë dhe vajza e tyre e vogël ndodheshin në shtëpi. Grabitësit ishin ngjitur mbi gardhin e shtëpisë dhe kishin tentuar të futeshin përmes dritares së dhomës së gjumit. Hogan u zgjua nga drita e një elektriku dore dhe pa tre persona jashtë, të cilët u larguan menjëherë kur ai u ngrit.

Futbollisti dha një deklaratë në gjykatë, duke theksuar ndikimin psikologjik të këtij incidenti, që i shkaktoi stres, ankth dhe net pa gjumë për të dhe familjen e tij.

Puka dhe Laska, së bashku me një person tjetër ende të paidentifikuar, kryen grabitje dhe tentativa në disa qytete të tjera, si Blackpool, Grappenhall, Knutsford dhe Northwich. Gjatë një grabitje në Northwich, ata morën një orë Breitling dhe një Rolex me vlerë rreth 9 mijë paund, ndërsa pronarët ishin jashtë shtetit.

Pasi kryen grabitjet, ata u arrestuan një javë më vonë, kur automjeti i tyre u gjet në një kompleks banimi. Policia sekuestroi prova të shumta, përfshirë telefona, veshje dhe mjete për thyerje, që kishin përdorur gjatë grabitjeve.

Të dy të pandehurit pranuan fajësinë për shtatë akuza të komplotit për grabitje banesash, dhe tani do të vuajnë dënimet përkatëse në burgjet e Mbretërisë së Bashkuar.