Emergjencat pranë Bashkisë së Vlorës janë pozicionuar në terren pranë urës së Mifolit, në shtratin e lumit Vjosë, ku po kryhet përforcimi i argjinaturës me rreth 800 metra kub dhe për ta ngritur mbi nivel. Ndërhyrja po kryhet në ato pjesë ku ka patur dëmtime të argjinaturës dhe qëllimi mbetet për të ndërhyrë në kohë, për të mos patur rrezik.
Kanan Shakaj, kreu i Njësisë Administrative Novoselë, tha se Vjosa ka kohë që nuk ka dalë nga shtrati, megjithatë situata duhet mbajtur nën monitorim të vazhdueshëm. “Po hedhim dhe dhe presim normalisht situatën që pritet në orët e mbrëmjes”, u shpreh ai, referuar edhe parashikimeve për reshje intensive.
Ndërkohë, Shakaj ka theksuar se janë bërë edhe njoftimet për çdo emergjencë të mundshme, kryesisht te familjet që kanë banesat apo gjënë e gjallë pranë shtratit të lumit Vjosë, në mënyrë që strukturat të ndërhyjnë menjëherë nëse paraqitet nevoja. Për momentin nuk ka rrezik, megjithatë po merren të gjitha masat e nevojshme.
Vlora deri ditën e enjte në mëngjes, në bazë të parashikimeve, cilësohet me risk nga reshjet e pritshme intensive, teksa zona e Novoselës, edhe për shkak të lumit Vjosë dhe prurjeve të mundshme, mbetet më shumë e rrezikuar. Po ndërhyhet në argjinaturë, ndërsa për momentin nuk ka ende rrezik.
