Prurjet e lumit Vjosa në fshatin Kashisht në Fier, kanë arritur në pikën kritike.

Sipas banorëve nga mëngjesi i sotëm e deri në mesditë niveli është rritur mbi 1 metër duke u kthyer në rrezik real për përmbytjen e tokave bujqësore. Me këtë intensitet prurjesh rreziku për të dal nga shtrati është tepër i madh thonë ata, ndërsa theksojnë se një nivel të tillë prurjesh nuk e kanë parë prej 4 vitesh.

Jemi të frikësuar”, thonë banorët pasi lumi ka vite që nuk ka shkaktuar probleme në zonë, teksa janë duke monitoruar të alarmuar orë pas ore situatën. Ndërkohë vendimtare mbeten orët e pasdites ku pritet të ketë reshje me intensitet të lartë dhe prurje të mëdha që mund të krijojnë situata problematike.

Sipas administratorit të njësisë administrative Frakull, Emiljano Braka, banorët janë njoftuar që në orët e para të mëngjesit, për rrezikun e përmbytjeve ndërsa ka theksuar se nëse lumi do të dilte nga shtrati , dëmet që do tu shkaktoheshin fermerëve do të ishin kolosale.

Ndërkohë fermerët janë duke monitoruar të alarmuar situatën në terren. Një prej tyre pohon se Vjosa nëse del nga shtrati është një përbindësh i vërtetë.

“Ne kemi përvojë të hidhur nga përmbytjet e mëparshme thotë ai, ku jo vetëm u dëmtua, por as nuk u dëmshpërblyem asnjëherë. I lutemi Zotit të mos ketë përmbytje, pasi do na duheshin dy vite të marrim veten”, shprehet një nga banorët.

Top Channel