Një kandidat i quajtur Zeqir Kordhoni rrezikon mandatin e Adriatik Lapajt për të hyrë në Parlament në shtator. Ai është renditur i 9-ti në listën e Tiranës dhe sipas CV-së së tij, ai është një punëtor ndërtimi dhe invalid që trajtohet me KEMP.
Kordhoni nuk është më i bindur për lënien e mandatit dhe i është drejtuar KQZ-së me një letër me shkrim dore, ku e cilëson veten deputet dhe kërkon kopje të dorëheqjes së tij. Në një letër drejtuar kreut të KQZ, Ilirjan Celibashi ai kërkon një kopje të dorëheqjes së tij.

Fituese e mandatit të “Nismës- Shqipëria Bëhet” në Tiranë aktualisht është Ana Dajko, ndërsa më i votuari nga lista e hapur është Adriatik Lapaj. Që ai të hyjë në Parlament, duhet që Ana Dajko dhe 11 të tjerët e listës së mbyllur të refuzojnë mandatin, në mënyrë që karrigen e Kuvendit ta ketë Lapaj.
Pas zgjedhjeve, “Nisma- Shqipëria Bëhet” ka dorëzuar dorëheqjet e emrave në listë të mbyllur, mes tyre edhe Zeqir Kordhoni.
Për Tiranën, mandatet ende nuk janë shpërndarë, sepse PD do e kalojë rezultatin në Kolegjin Zgjedhor. Por është e qartë se paralel me këto, Lapaj duhet të mbajë “nën kontroll” Zeqirin dhe 11 shokët e tij në listë, deri ditën që Celibashi e shpall mandatin në emër të Adriatikut.
