Një drejtues Jet Ski është gjobitur me 500 mijë lekë të rinj dhe i është bllokuar mjeti lundrues, pasi ka shkelur perimetrin e sigurisë dhe ka hyrë në zonën ku ndodheshin pushuesit në plazhin e Ksamilit.
Ngjarja u konstatua gjatë patrullimeve të Policisë Kufitare dhe Njësisë Policore Detare, të cilat po kryejnë kontrolle përgjatë gjithë vijës bregdetare për garantimin e sigurisë së pushuesve dhe respektimin e rregullave të lundrimit.
Sipas Policisë, Jet Ski kishte hyrë brenda perimetrit të sigurisë, duke rrezikuar pushuesit që ndodheshin në plazh. Në përfundim të veprimeve administrative, drejtuesi i mjetit, shtetasi me inicialet A. P., u ndëshkua me gjobë 500 000 lekë të rinj.
Ndërkohë, mjeti lundrues në pronësi të tij u bllokua në portin e Sarandës. Policia u ka bërë apel të gjithë përdoruesve të mjeteve lundruese dhe subjekteve që operojnë me to që të respektojnë me rigorozitet perimetrat e sigurisë dhe rregullat e lundrimit.
Kontrollet dhe patrullimet përgjatë vijës bregdetare do të vijojnë me intensitet, me fokus të veçantë garantimin e sigurisë së pushuesve dhe parandalimin e çdo shkeljeje që mund të rrezikojë jetën e tyre.
