Flamuj shqiptarë dhe mesazhe mbështetjeje kanë shoqëruar grumbullimin e shqiptarëve në Hagë këtë të mërkurë, vetëm pak para shpalljes së aktgjykimit të shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Qytetarë të ardhur nga Kosova dhe vende të tjera janë vendosur pranë ambienteve të Dhomave të Specializuara, ku në orën 10:00 është planifikuar të nisë seanca publike.
“Lugina është me ju! Presim drejtësi!”, ishte një prej mesazheve të përcjella nga të pranishmit.
Në Hagë ndodhet edhe ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Nait Hasani, i cili tha se kishte udhëtuar për të mbështetur ish-krerët e UÇK-së dhe për të ndjekur nga afër momentin e shpalljes së vendimit.
Hasani u shpreh se pret lirimin e katër të akuzuarve, ndërsa deklaroi se, sipas tij, një përfundim tjetër i procesit do të perceptohej si një vendim i ndikuar politikisht.
“Ne kemi ardhur në mbështetje dhe për të përcjellë procesin gjyqësor. Kemi emocione, sepse këtu është vendimi për të drejtën tonë, për lirinë tonë dhe UÇK-në”, deklaroi ai.
Dhomat e Specializuara kanë konfirmuar se shqiptimi i aktgjykimit ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit është caktuar për 16 shtator, në orën 10:00. Seanca është publike dhe transmetimi do të ofrohet në shqip, anglisht dhe serbisht, me rreth 10 minuta vonesë.
Katër ish-drejtuesit e UÇK-së ndodhen në paraburgim në Hagë që prej nëntorit të vitit 2020. Ata përballen me akuza për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, të cilat i kanë mohuar.
Procesi gjyqësor nisi më 3 prill 2023, ndërsa faza e paraqitjes së provave u mbyll në dhjetor 2025. Sipas të dhënave zyrtare të Dhomave të Specializuara, gjatë procesit dëshmuan 134 dëshmitarë, ndërsa deklaratat përmbyllëse u zhvilluan në shkurt të këtij viti.
Tashmë, pas më shumë se tre vjetësh proces gjyqësor dhe gati gjashtë vjetësh qëndrimi në paraburgim, vëmendja është përqendruar te Haga, ku trupi gjykues do të bëjë publik vendimin e shkallës së parë për katër të akuzuarit.
