Një shqiptar i akuzar për krime kibernetike është ekstraduar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nga Kosova.
Mësohet se 33-vjeçari Liridon Masurica, i njohur si “@blackdb”, rëndojnë akuzat për konspiracion për mashtrime dhe për përdorim dashakeq të 15 apo më shumë instrumenteve të paautorizuara elektronike. Nëse shpallet fajtor, Masurica mund të dënohet me burgim në kohëzgjatje maksimale prej 55 vjetësh.
Masurica ishte arrestuar nga autoritetet e Kosovës më 12 dhjetor 2024, ndërsa është ekstraduar në SHBA më 9 maj, në përputhje me marrëveshjen e ekstradimit mes dy vendeve, ka njoftuar Departamenti amerikan i Drejtësisë.
Sipas aktakuzës, Masurica ka qenë kryeadministrator i “BlackDB.cc”, një treg i zi online që ka funksionuar nga viti 2018 deri më tani.
Ky rrjet, sipas Departamentit amerikan të Drejtësisë, ka ofruar ilegalisht në shitje kredenciale të vjedhura të llogarive dhe serverave, po ashtu edhe informacione për karta krediti dhe informata të tjera identifikuese të individëve që jetojnë në Shtetet e Bashkuara.


