Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ka bërë apel për rritjen e kujdesit dhe përgjegjësisë qytetare për parandalimin e zjarreve, duke paralajmëruar masa të ashpra ndaj personave që shkaktojnë zjarre.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Lamallari theksoi se çdo zjarr i shkaktuar nga dora e njeriut përbën rrezik serioz për jetën e qytetarëve, pronat, pyjet dhe pasuritë natyrore të vendit.
“Kujdes! Zjarrvënia nuk është pakujdesi, por krim që ndëshkohet me burgim. Çdo zjarr i shkaktuar nga dora e njeriut është një kërcënim për jetën, pronën, pyjet dhe të mirën e përbashkët. Kërkohet më shumë përgjegjësi qytetare dhe gatishmëri për të mbrojtur çdo qytetar dhe shmangur katastrofa,” shprehet ministri Lamallari.
Lamallari rikujtoi se ndryshimet e fundit në Kodin Penal kanë sjellë ashpërsim të dënimeve për veprën penale të zjarrvënies, në varësi të rrethanave dhe pasojave të shkaktuara.
Sipas dispozitave të reja, zjarrvënia e qëllimshme mund të dënohet me 5 deri në 8 vite burg kur kryhet gjatë periudhave të nxehta, në kushte që favorizojnë përhapjen e zjarrit ose pranë zonave të banuara. Kur zjarri prek zona të mbrojtura, objekte të trashëgimisë kulturore, objekte kulti apo infrastrukturë kritike, dënimi shkon nga 4 deri në 10 vite burg. Ndërsa kur qëllimi është ndryshimi i kategorisë ose destinacionit të tokës, masa e dënimit arrin deri në 15 vite burg.
Ministri theksoi se çdo zjarr sjell pasoja të rënda njerëzore dhe materiale, duke mobilizuar forca të shumta për mbrojtjen e jetës, banesave dhe mjedisit.
Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të respektojnë rregullat e sigurisë dhe të denoncojnë çdo rast të dyshuar zjarrvënieje, ndërsa kanë paralajmëruar qasje me tolerancë zero ndaj autorëve.
