Qeveria shqiptare ka organizuar ditën e sotme një ceremoni mirënjohjeje për Forcat emergjente, të angazhuara në përballimin e zjarreve masive që kanë përfshirë vendin gjatë muajve të fundit.
Kryeministri Edi Rama vlerësoi punën e ushtarakëve, punonjësve civilë dhe personelit mjekësor, duke e cilësuar situatën si një “kronikë dramatike, por me nota përkushtimi”. Ai shprehu mirënjohjen ndaj të gjithë atyre që, me guxim dhe sakrificë, luftuan me flakët për të mbrojtur jetën, pronën dhe natyrën shqiptare.
“Të nderuar ushtarakë, civilë dhe mjekë. Jemi sot këtu për të shprehur mirënjohjen dhe për t’u përulur me respekt përpara jush dhe gjithë asaj që ju përfaqësoni. Beteja e zjarreve që përfshiu territore të konsiderueshme të territorit tonë ishte një kronikë e gjatë ethesh, plagësh, dhimbjesh, një kronikë dramatike, por me nota stërmundimi përkushtimi dhe momente kulmore edhe heroizmi njerëzor, që i bëjnë nder uniformave tuaja dhe falë jush nderojnë shtetin shqiptar, lartësojnë republikën tonë.
Në Delvinë flakët kërcënuan lagjet e vjetra. Forcat e ushtrisë dhe zjarrfikëse morën çdo iniciativë duke rrezikuar jetën për të shpëtuar qytetin, një oficer policie e sfidoi vdekjen për të shpëtuar jetën e të tjerëve. Morën në krahë dhe të moshuarit që nuk pranonin. Shpëtuan jetë të tjera, pa e çarë kokën për etjen dhe rraskapitjen. Janë fjalë të shqiptuara në vijën e zjarreve dhe mes tyre ka dhe jetë të dyta. Kronika e zjarreve të kësaj vere mund të vazhdojë, 10 mijë forca mbeten të gatshme.
Mijëra njerëz me uniformë derdhin energjitë e tyre në një përkushtim që shkon deri në vetëmohim, në luftë sfilitëse me zjarret dhe mijëra hektarë pasuri pyjore përpihet nga flakët, disa personave që nuk u dihen emrat me integritet zero i përqeshin të gjitha sakrificat dhe i shkelin me 4 këmbët interesat duke dhënë vendime në favor të zjarrvënësve“-, tha kryeministri Rama.



