Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji ka reaguar pas vendimit të marrë në Kuvend, ku shumica socialiste rrëzoi kërkesën e SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut.

Me anë të një postimi në Facebook, Salianji u shpreh se vendimi i sotëm shënon fundin e një periudhe gati 10-vjeçare, gjatë së cilës, sipas tij, është krijuar iluzioni se reforma në drejtësi do t’i jepte fund pandëshkueshmërisë dhe korrupsionit në vend. Salianji akuzoi kryeministrin Edi Rama dhe shumicën socialiste se kanë rrëzuar vetë mitin që, sipas tij, kanë ndërtuar ndër vite për një drejtësi të pavarur dhe të pagabueshme.

“Vendimi i sotëm në parlament rrëzoi propagandën për ‘shkëlqimin’ e drejtësisë së re dhe i dha fund një epoke të shkurtër, por të zhurmshme, gati 10-vjeçare, ku u shit iluzioni se një drejtësi e re, e mbështetur politikisht, do t’i jepte fund pandëshkueshmërisë dhe korrupsionit. Vendimi i sotëm është qartësisht fillimi i një beteje të re të socialistëve me drejtësinë, një betejë institucionale, publike dhe politike ndaj asaj që me propagandë u quajt ‘drejtësia e re’.

Sot, Rama dhe socialistët rrëzuan mitin që kishin ngritur prej vitesh për një drejtësi të pagabueshme. Ata provuan se për ta drejtësia është e mirë vetëm kur përdoret politikisht, vetëm kur godet kundërshtarët, vetëm kur burgos ata që denoncojnë.

E vërteta është e thjeshtë: Rama dhe qeveria nuk ka dashur kurrë drejtësi të pavarur dhe te barabartë për të gjithë. Ka dashur një drejtësi për ta përdorur si mekanizëm mbrojtje ose për ta përdorur me standarde të dyfishta, një instrument presioni dhe propagande, jo një garanci për shtetin e së drejtës. Nga sot nis epoka e re, Rama në përballje të hapur kundër SPAK dhe drejtësisë”, shkruan Ervin Salianji.