Duke filluar nga 1 janari do të nisë dhe rivlerësimi i pasurive të paluajtshme me një normë tatimore prej 5%.

Pavarësisht propozimeve të deputetëve për një normë më të ulët tatimi, amendamentet janë rrëzuar.

Projektligji “për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore ndaj administratës tatimore qendrore e të detyrimeve të pagueshme në doganë” – 73 vota pro, 0 abstenim, 14 vota kundër.

Me miratimin edhe të projektligjit për fshirjen e detyrimeve tatimore dhe doganore, me 73 vota pro, 0 abstenim dhe 14 kundër, merr këtu vulën përfundimtare dhe paqja fiskale. Të dy projektligjet janë miratuar me shumicë votash në seancën maratone, teksa votohet nen për nen paketa fiskale.

Ky projektligj është kritikuar ashpër nga opozita, e cila ka kërkuar nga qeveria të bëjë publike listën e përfituesve. Por asnjë nga amendamentet nuk u miratua, por morën kundërshtimin nga mazhoranca.

Sipas këtij ligji, që mori dritën jeshile pas mesnate në seancën maratonë në Kuvend, të gjitha detyrimet e krijuara deri në 31 dhjetor 2014 fshihen automatikisht, me përjashtim të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.

Janë afro 2 miliardë euro që preken nga kjo nismë e miratuar, nga të cilat 1 miliardë euro borxhe që falen automatikisht pasi janë me vjetërsi mbi 10 vite, pa përfshirë detyrimet për sigurimet shoqërore.

Ndërsa borxhet e krijuara si doganore, ashtu edhe tatimore nga 2015-2024 do të lehtësohen vetëm nëse paguhen detyrimet.

Eno Bozdo: Nga fshirja e detyrimeve përfitojnë persona që kanë në pronësi kompani, edhe nëse ato kanë përfituar tendera e kontrata publike. Individët duhet të përjashtohen nga fshirja dhe shuarja; kategoritë e tilla duhet përjashtuar.

Kemi kërkuar që 3 mijë biznese që përfitojnë më shumë të publikohen në faqen online, që komuniteti publik të dijë kush ka përfituar nga falja. Kjo nuk ka lidhje me privatësinë e të dhënave. Si tatimet dhe doganat mund të nxjerrin debitorët në faqet e tyre.

Milva Ikonomi: Në komision, një pjesë është vendosur për t’u marrë në konsideratë nga kjo listë.

Niko Peleshi: I votuam sipas propozimeve; shihet rezultati.

Agron Shehaj: Me këtë projektligj ka dyshime të forta që është falja e gjobave ndaj Bankers Petroleum. E papranueshme që mos të ketë transparencë për një gjobë 120 milionë euro. Kemi pyetur dhe Ministrinë e Financave dhe nuk na është përgjigjur. Kjo është për të shpëtuar këtë kompani. Të ndryshohet ky nen që të përjashtohet kompania Bankers nga përfitimi i faljes së gjobave.

Petrit Malaj: Ju sqarova me gjobën e Bankers; nëse përfiton, është e shkruar në ligj që ata që janë në hetim nuk përfitojnë nga ligji i shuarjes. Për sa i përket gjobës së doganave, drejtoria e doganave po merr të gjitha masat për të vjelur këtë gjobë.

Agron Shehaj: Z. Ministër, sapo konfirmuat që Bankers nuk e ka paguar akoma gjobën. Z. Ministër, a ka para Bankers për të paguar? Çfarë po prisni? 2 vjet për 120 milionë euro?

Ju jeni të gatshëm të garantoni që me kalimin e këtij projektligji, 120 milionë euro të Bankers do të kalojnë në buxhetin e shtetit? Mund të dilni garant, z. Ministër? Vëmendje, të mbani fjalën?

Kërkojmë që lista e përfituesve të publikohet në faqen e institucioneve. /Top Channel/