Gjendja e amortizuar e fasadave të shumë godinave në Durrës është kthyer në çështje sigurie.

Së fundmi, 18 familje që jetojnë në një objekt të përshtatur për banim në lagjen nr. 7 të Durrësit po përballen me frikë dhe pasiguri, pas shembjes së bordurës fundore të çatisë së godinës. Autoritetet lokale kanë vendosur shirita sigurie për të krijuar perimetrin e sigurisë dhe shmangur rrezikun për kalimtarët.

Për fat të mirë rënia e bordurës së çatisë ka ndodhur në orët e vona të natës, po ngjarja mund të përsëritet dhe të rrezikojë qytetarët, ndërsa shqetësim mbeten edhe dëmtimet brenda apartamenteve. Sipas banorëve, jo vetëm çatia po dhe kati i fundit ka plasaritje të shumta në tavane dhe mure. Godina 3-katëshe, e cila para viteve ’90 shërbente si magazinë e Fabrikës së Cigareve, u përshtat më pas për banim.

Familjet që jetojnë aty kërkojnë ndërhyrje urgjente nga bashkia për të shmangur rrezikun dhe për të garantuar sigurinë e tyre.

Top Channel