I dyshuari polic
Një person i prezantuar si punonjës policie është shpallur në kërkim, pasi ka rrahur me grushte inspektorin e ministrit të Brendshëm Ilir Marko. Sipas të dhënave, gjithçka ka ndodhur gjatë një konflikti të momentit dhe inspektori i ministrit është drejtuar në polici, duke denoncuar personin e identifikuar, që mendohet se është punonjës policie. Burimet policore thanë se dy ditë më parë, në Komisariatin Nr. 1 ka bërë kallëzim Ilir Marko, 34 vjeç, banues në rrugën “Shyqyri Bërxolli”, inspektor i ministrit të Brendshëm, i cili ka shpjeguar se me datë 24 qershor, në rrugën “Murat Toptani” është goditur me grushte në pjesën e fytyrës nga Mark Hajdarkolaj, 23 vjeç, banues në Tiranë, i cili i është prezantuar si punonjës policie. Policia tha se po punohet për gjetjen dhe shoqërimin e këtij personi.