Kryeministri Edi Rama ka ngritur shqetësime mbi praktikat e reja të sistemit të drejtësisë në Shqipëri, duke vënë theksin te numri i lartë i qytetarëve të cilët mbahen në paraburgim pa gjyq.
“Shifrat e të paraburgosurve kanë kapur majat,” deklaroi Rama, duke kritikuar mënyrën sesi po funksionon “Drejtësia e Re” në vend. Sipas tij, kjo qasje po sjell pasoja të rënda për qytetarët dhe mund të cënojë parimet e një procesi të drejtë gjyqësor.
Ai vuri në dukje se në shumë raste, vendimet për masat e sigurisë po merren mbi baza të paqarta dhe jo gjithmonë në përputhje me standardet e drejtësisë. “Nuk mund të kemi një sistem ku prokuroria kërkon një masë dhe gjykata e rëndon edhe më shumë, vetëm për të kënaqur opinionin publik,” theksoi ai.
“E dini sa e ka BE ku duam të integrohemi përqindjen e atyre që janë të paraburgosur, e ka 24%. Nuk janë kryetarë bashkie që merren nga zyra. E ka detyrë tjetri, detyrë të dhënë nga populli. E dini sa ka në Shqipëri sot njerëz pa burg 61%, është tmerr! Nuk është SPAk aktori kryesor po SPAK duhet të ketë parasysh se është lideri në frymë. Ndodh siç ndodhi në burgun e Peqinit, gjithë turni u arrestua se hëngrën kokat dy atje.
Ça janë këta, janë prindër, nuk marrin rroga nga 10 mijë euro. Ti i merr i fut në burg. Të rrijnë aty sa të gjejmë provat? Pastaj e dini ju që çdo person që futet atje, i kushton taksapaguesve? Është më mirë mos tua them. Më mirë mos ta dëgjoni, ça është ky muhabet. Unë këtu jam dhe nga këtu nuk lëviz sepse e shoh absolutisht të pamundur të lëviz nga ky pozicion dhe kjo nuk është çështje personi. Ajo që kam thënë është e qartë”-u shpreh kryeministri Rama.
